Një burrë dhe një grua kanë mbetur të plagosur rëndë teksa makina me të cilën udhëtonin u aksidentua në aksin rrugor Kukës Morinë.
Sipas Policisë së Kukësit, aksidenti ndodhi rreth orës 13:00 në aksin Kukës-Morinë kur shtetasi F. K., duke drejtuar automjetin Ford dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë automjeti është përmbysur.
Nga aksidenti është dëmtuar drejtuesi i automjetit F.K dhe pasagjerja me të, K.K., të dy banues në Fushë Arrëz , të cilët janë dërguar për mjekim më të specializuar në Tiranë.
Automjeti po udhëtonte drejt Kosovës, por si pasojë e shpejtësisë dhe lagështirës në rrugë, drejtuesi i mjetit humbi kontrollin dhe doli nga rruga duke rënë në kanalin anësor të segmentit rrugor Kukës-Morinë.
Makina përshkoi më shumë se 250 metra në shpatin e kanalit anësor pas humbjes së kontrollit dhe bëri disa rrotullime.
Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkaqeve të aksidentit, përfundon njoftimi paraprak i Policisë.
LEXO EDHE: Janar-Shtator 2023/ 139 viktima dhe mbi 1 mijë të plagosur në 863 aksidente rrugore