Raporti i mbulimit të depozitave të siguruara bankare nga fondi i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD) u rrit përsëri gjatë vitit 2022.
Sipas informacionit të ASD, në fund të vitit të shkuar, raporti arriti në 7%, nga 6.66% që pati qenë një vit më parë.
Ky tregues llogaritet si raporti mes vlerës totale të fondit të sigurimit të depozitave bankare dhe vlerës totale të depozitave të siguruara.
Rritja e këtij raporti tregon se, fondi i sigurimit të ASD edhe vitin e kaluar është rritur me ritme më të shpejta se vlera e depozitave të siguruara.
Në objektivat e agjencive të sigurimit të depozitave, zakonisht raporti i synuar i mbulimit të depozitave të siguruara është niveli 5%. Fondi i ASD e ka arritur këtë nivel që prej vitit 2016.
Vlera e fondit të sigurimit të depozitave në banka në fund të vitit të kaluar arriti në rreth 57.9 miliardë lekë, lekë me një rritje prej 9.6% krahasuar me një vit më parë. Ky fond ka dy burime kryesore financimi: primet që paguhen nga bankat dhe të ardhurat nga investimi i fondit.
Të ardhurat nga primet e sigurimit, që konsistojnë në kontributet e paguara nga bankat, vitin e kaluar arritën në rreth katër miliardë lekë ose pothuajse 35 milionë euro. Këto kontribute u rritën me 6.1% krahasuar me vitin 2021.
Për bankat tregtare, primi tremujor i sigurimit përllogaritet si 0.125% e mesatares aritmetike të shumës së depozitave të siguruara, që janë regjistruar në bankë në ditën e fundit të çdo muaji të tremujorit të mëparshëm.
Megjithatë, ligji “Për Sigurimin e Depozitave”, në nenin 31, pika 11 përcakton se “Agjencia (ASD) mund të ulë primin tremujor të pagueshëm nga bankat anëtare të skemës së sigurimit të depozitave deri në 0,025% të mesatares aritmetike të shumës së depozitave të siguruara, që janë të regjistruara në bankë në ditën e fundit të çdo muaji të tremujorit të mëparshëm, por vetëm nëse mjetet financiare të Agjencisë janë jo më pak se 5% të mesatares së këtyre depozitave”.
Duke pasur parasysh se ligji e parashikon këtë mundësi, bankat tregtare po kërkojnë prej më shumë se dy vjetësh nga autoritetet rregullatore uljen e primit të sigurimit të depozitave. Bankat argumentojnë se në vitet e fundit po përballen me një rritje të fortë të kostove nga masat e reja ligjore dhe rregullatore.
Veç sigurimit të depozitave, ato paguajnë edhe për ngritjen e Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme. Megjithatë, ASD është shprehur se është ende në fazën e analizave lidhur me mënyrat e zhvillimit të mëtejshëm të skemës së sigurimit të depozitave.
Ndërkohë, të ardhurat nga administrimi i mjeteve financiare të fondit të sigurimit të depozitave në banka për vitin 2022 arritën në 1.6 miliardë lekë ose 15.6% më shumë se në vitin 2021. Gjatë vitit 2022 normat e interesit kanë patur një tendencë në rritje krahasuar me vitin 2021, kryesisht duke nisur nga tremujori dytë i këtij viti, duke sjellë kështu një kthim të kënaqshëm nga investimi.
Në fund të vitit 2022, vlera e depozitave të siguruara (detyrimi maksimal për kompensim i ASD-së) arriti në 827 miliardë lekë.
Nga këto, 507 miliardë lekë janë depozita me vlerë poshtë kufirit maksimal të mbulimit, ndërsa 320 miliardë lekë janë pjesa e siguruar e depozitave që e tejkalojnë vlerën e kufirit ligjor të sigurimit. Ligji parashikon sigurimin e detyrueshëm të depozitave të individëve dhe shoqërive tregtare në banka deri në vlerën e 2.5 milionë lekëve. /Monitor