Numri i vizitorëve në Muzeun Historik Kombëtar gjatë muajit mars të këtij viti ka shënuar rritje me 61% krahasuar me marsin e një viti më parë.
Muzeu Historik Kombëtar publikoi shifrën e vizitorëve çka tregon rritjen e interesit nga turistët vendas dhe të huaj për pavijonet dhe aktivitetet e institucionit.
Kështu, gjatë muajit mars të vitit 2022, Muzeun Historik Kombëtar e kishin vizituar 1474 persona në total, ndërkohë që ky fillimviti rezultoi shumë i suksesshëm me 2366 vizitorë.
Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Bashkimin Evropian dhe UNOPS, Muzeun Historik Kombëtar e kanë përfshirë në programin EU4Culture, i cili nisi implementimin me mozaikun e fasadës ballore, për të vijuar më tej edhe me vetë godinën e muzeut.
Godina e MHK, një monument i kategorisë II, do të jetë edhe më funksionale për vizitorët, me pavijone të shtuara, që flasin për identitetin tonë kombëtar. Në grupin e punës janë përfshirë edhe specialistë të albanologjisë.
Ekipi që ka realizuar projektin ka pasur në përbërje të tij 31 specialistë të fushave të ndryshme: arkitektë, historianë, arkeologë, etnografë, ikonografë, dizajner etj.