Hartimi i CV-së është një art ose, në varësi të kujt pyesni, është një shkencë. Ju duhet të nënvizoni arritjet tuaja në mënyra të dukshme dhe të pasqyroni përshkrimet e punës. Ajo duhet të jetë jo më shumë se dy faqe, që menaxherët e punësimit t’ju konsiderojnë një kandidat serioz.
Ka disa fjalë dhe fraza, që punëkërkuesit duhet t’i shmangin, si fjalët ‘plotësuese’. Këto janë “fjalë që marrin hapësirë shtesë dhe nuk po ju ndihmojnë ta tregoni historinë tuaj më qartë”, thotë Amanda Augustine, një eksperte karriere në TopResume.
Përemrat dhe ndajfoljet hyjnë në këtë kategori dhe megjithëse nuk e bëjnë rezymenë tuaj më të fortë, shumë njerëz ende i përdorin ato. Pothuajse gjysma, 44%, e rezymeve përmbajnë 10 ose më shumë fjalë plotësuese, sipas faqes së shkrimit të rezymeve Kickresume, i cili kohët e fundit analizoi më shumë se 170,000 rezyme të shkruara në 2022.
Këto janë tetë fjalë plotësuese që duhen shmangur:
Unë, mua, ne;
Shpesh;
Në mënyrë efikase;
Me zell;
Tërësisht;
Shpejt.
Menaxherët e Burimeve Njerëzore e dinë se personi, përvoja e të cilit përshkruhet në CV-në tuaj jeni ju. Përemrat si “unë”, “mua” dhe “ne” janë të tepërt.
Kur bëhet fjalë për ndajfoljet e mësipërme, si “tërësisht” dhe “shpejt”, ata e lënë lexuesin të pyesë veten, ku është prova?
“Nëse thoni se keni bërë diçka me efikasitet ose me zell, çfarë bëtë konkretisht?”, thotë Octavia Goredema, trajnere karriere dhe autore e “PREP, PUSH, PIVOT”.
A keni krijuar një proces pune, që përgjysmoi kohën që ju desh juve dhe ekipit tuaj për të përfunduar një projekt? A keni qenë në gjendje të tejkaloni vazhdimisht qëllimet tuaja?
Çfarëdo që të keni arritur, gjeni mënyra të matshme për ta përshkruar atë, për të dhënë një ndjenjë të qartë dhe të fuqishme të suksesit tuaj në punë. / CNBC