Fitimet e sektorit bankar sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS) u rritën edhe për tremujorin e dytë të vitit, sipas të dhënave paraprake nga Shoqata Shqiptare e Bankave.
Shifrat e raportuara nga bankat tregojnë se fitimi progresiv neto në fund të gjashtëmujorit arriti në 13.6 miliardë lekë, në rritje me 5.7 miliardë lekë të tjera krahasuar me fundin e tremujorit të parë.
Në vlerë absolute, fitimi i sektorit bankar ka prekur një rekord të ri historik për 6-mujorin e parë të vitit, me një rritje të lehtë prej 1.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërkohë, treguesit e rentabilitetit paraqiten në nivele të përafërta me vitin e kaluar. Kthimi mesatar nga kapitali për sektorin, mesatarizuar me bazë vjetore, (RoE) për 6-mujorin rezultoi 15.53%, nga 15.51% që kishte në mesin e vitit të kaluar. Ndërsa kthimi mesatar nga aktivet (RoA) shënoi një rënie të lehtë në 1.45%, nga 1.5% që kishte qenë një vit më parë.
Nga 11 banka të sektorit, 10 prej tyre rezultonin me fitim në fund të 6-mujorit të parë.
Në vlerë absolute, fitimin më të lartë e raportoi Raiffeisen Bank Albania, me 3.8 miliardë lekë, në rritje me 58% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Vijon banka më e madhe në vend, BKT, me një fitim neto pranë vlerës së 3.6 miliardë lekëve, në rënie me 41% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Banka OTP Albania ka raportuar një fitim prej 2.1 miliardë lekësh, në rritje me 40% ndaj të njëjtës periudhë të vitit 2022. Banka e fundit që ka raportuar fitime 10 shifrore është Banka Intesa Sanpaolo Shqipëri, me 1.6 miliardë Lekë, në rritje me 150% krahasuar të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Renditja e fitimeve vijon me Tirana Bank, me 898 milionë lekë, Credins Bank, me 710 milionë lekë, Union Bank, me 640 milionë lekë, Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank), me 621 milionë lekë, Banka e Parë e Investimeve (Fibank), me 364 milionë lekë dhe ProCredit Bank, me 142 milionë lekë.
E vetmja bankë që raporton rezultat me humbje është Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA), në vlerën e 856 milionë lekëve.
Nëse i krahasojmë rezultatet e bankave në terma të kthimit nga kapitali aksioner, banka më fitimprurëse rezulton Raiffeisen Bank Albania, me një nivel kthimi në masën 25.93%.
Vijon OTP Albania, me 23.64%, Union Bank, me 18.52%, Tirana Bank, me 17.55%, BKT, me 15.12%, Fibank, me 14.68%, Intesa Sanpaolo, me 14.53%, ABI Bank, me 11.59%, Credins Bank, me 7.07% dhe ProCredit Bank, me 6.96%. Në terma të rentabilitetit, ecuria e sektorit është më pak uniforme. Gjashtë banka kanë raportuar kthime më të larta krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa pesë prej tyre kanë raportuar kthime më të ulëta./Monitor