Këtë shqetësim e përcjell portali i specializuar Captive Insurance Time dhe referon raportin dhe gjetjet e Fitch Ratings.
Sipas tyre, reformat në sigurimet “Captive” dhe ILS në Mbretërinë e Bashkuar mund të rrisin rrezikun në afatgjatë.
Për lexuesin e Sigurime. Online po sjellim në vëmendje:
Sigurimet “Captive” janë kompanitë e sigurimit të krijuara dhe të kontrolluara nga një biznes apo grup biznesesh, me qëllim që të sigurojë vetëm ose kryesisht rreziqet e atij biznesi (ose grupi), në vend që të blejë sigurim nga një sigurues i jashtëm tregtar.
ILS është një mënyrë që kompanitë e sigurimeve të marrin para nga investitorët për t’u përballur me rreziqe të mëdha. Nëse ndodh një katastrofë (p.sh. tërmet, uragan), investitorët humbin paratë e tyre dhe siguruesi i përdor ato për të paguar dëmet. Nëse nuk ndodh katastrofa, investitorët fitojnë interes. Thënë ndryshe, janë produkte financiare që lejojnë investitorët të investojnë në rreziqe sigurimi
Fitch Ratings, një nga tre agjencitë më të mëdha ndërkombëtare të vlerësimit të kreditit, së bashku me Moody’s dhe Standard & Poor’s (S&P), paralajmëroi se reformat e planifikuara nga qeveria britanike për tregun e sigurimeve “captive” dhe instrumenteve të lidhura me sigurimin (ILS) mund të sjellin rreziqe sistemike në periudhë afatgjatë.
Megjithatë, ajo i konsideroi masat me ndikim neutral për kreditimin e siguruesve të tregut londinez në afatshkurtër.
Reformat, të shpallura si pjesë e një strategjie më të gjerë për rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit financiar, synojnë të rikthejnë Mbretërinë e Bashkuar si një vend atraktiv për strukturat captive dhe ILS, me rregullore më të lehta, autorizime më të shpejta dhe tarifa më të ulëta, duke ndjekur shembuj si Bermudet, Franca dhe SHBA.
Sipas Fitch Ratings, në periudhën afatshkurtër, nuk pritet që këto ndryshime të ndikojnë ndjeshëm në profilin e rrezikut të siguruesve.
Standardet rregullatore ekzistuese do të qëndrojnë në fuqi deri në zbatimin e plotë të reformave në vitin 2027, me konsultime të planifikuara për vitin 2026.
Fitch paralajmëron po ashtu se me kalimin e kohës, këto reforma mund të zhvendosin volume të konsiderueshme rreziku jashtë sektorit të rregulluar të sigurimeve.
Rreziqet e lidhura me ILS mund të kalojnë tek investitorët institucionalë përmes mekanizmave të brendshëm transformuess, ndërsa kompanitë mund të mbajnë vetë më shumë rrezik nëpërmjet strukturave captive.
Me kërkesa më të ulëta kapitale dhe mbikëqyrje më të kufizuar, ky decentralizim mund ta bëjë më të vështirë për rregullatorët të ndjekin shpërndarjen reale të rrezikut, duke shtuar rreziqet sistemike.
Thesari i Mbretërisë së Bashkuar ka ngarkuar Autoritetin e Sjelljes Financiare (FCA) dhe Autoritetin e Rregullimit Prudencial (PRA) për të hartuar rregullat konkrete për zbatimin e këtyre ndryshimeve, të cilat priten të hyjnë në fuqi deri në mesin e vitit 2027.