Në vitet e fundit edhe tregu shqiptar ka hedhur disa hapa domethënës në drejtim të modelit fintech.
Fillimisht, ky model u soll në shërbimet e mikrofinancës, sipas modelit të kompanive nga vendet Balltike.
Pas miratimit të ligjit të ri “Për shërbimet e pagesave”, pati një interes në rritje edhe nga institucionet e shërbimeve të pagesave, kryesisht ato të parasë elektronike.
Brenda dy viteve të fundit, Banka e Shqipërisë ka licencuar tetë institucione financiare, jobanka, që kanë si objekt të aktivitetit të tyre shërbimet e pagesave dhe të mikrokredisë.
Ligji i ri “Për shërbimet e pagesave”, miratuar në vitin 2020, ka sjellë edhe në Shqipëri konceptin e bankingut të hapur (open banking), që do të mundësojë përdorimin e llogarisë bankare për të kryer shërbime pagesash edhe nëpërmjet institucioneve të tjera financiare.
Open banking pritet të zbatohet duke filluar nga 1 janari 2024 dhe do të mundësojë dy shërbime të reja, atë të inicimit të shërbimit të pagesës dhe të informimit mbi llogaritë.
Por, modeli i fintech së fundmi po tërheq interesin edhe të bankave tregtare.
Banka më e madhe në vend, Banka Kombëtare Tregtare (BKT) ka krijuar BKT Pay, kompani që synon të ushtrojë aktivitetin si institucion financiar i parasë elektronike dhe ofrimit të shërbimeve të pagesave.
Subjekti është regjistruar si shoqëri tregtare, por nuk është licencuar ende nga Banka e Shqipërisë. BKT Pay do të zotërohet në masën 100% nga BKT dhe do të drejtohet nga Bilgen Aldan, ish-Drejtore e Përgjithshme e Albtelecom deri në mars të vitit të kaluar, kur kompania u shit nga grupi turk Çalik te ai hungarez 4iG.
Tendenca e investimit të bankave në kompani të llojit fintech është e njohur prej vitesh tashmë në tregun botëror. Disa prej grupeve të mëdha bankare po investojnë në ndërmarrje të suksesshme fintech.
Për sa i takon tregut shqiptar, vendimi i BKT-së për të hyrë në tregun e pagesave nëpërmjet një filiali të saj përbën një lloj risie. Deri tani, vetëm Union Bank është palë e lidhur me një institucion të parasë elektronike (aksionerin e saj kryesor, Union Financiar Tiranë), por kjo lidhje është e hershme, para se UFT të licencohej si institucion i parasë elektronike dhe të zhvendosej drejt modelit të institucionin fintech.
Vendimi i BKT për të hapur një institucion financiar të parasë elektronike mund të jetë përpjekje për të zhvilluar paralelisht një model biznesi më dinamik në sektorin e pagesave, duke i kanalizuar shërbimet e reja në një institucion financiar të dedikuar për këtë qëllim.
Nga njëra anë, Shqipëria ende ka rrugë për të bërë në drejtim të përfshirjes financiare dhe sipas vlerësimeve më të fundit vetëm 60% e popullisë në moshë madhore kanë një llogari bankare.
Por, nga ana tjetër, modeli fintech synon të konkurrojë shërbimin e ofruar nga bankat, duke pasur si objektiv sidomos më të rinjtë, që shpesh i perceptojnë bankat si institucione financiare më të burokratizuara dhe më të ngadalta për të adoptuar zgjidhjet më bashkëkohore. /Monitor