Tregu amerikan i sigurimeve komerciale në krizë: kompanitë po tërhiqen nga sigurimi i përgjegjësive civile
Një pjesë e tregut amerikan të sigurimeve është pranë një kolapsi, kanë paralajmëruar drejtues të industrisë.
Kështu raportonte sot “Financial Times”.
Kjo po ndodh pasi shumë kompani po tërhiqen nga sigurimi i përgjegjësive civile për shkak të rritjes së madhe të dëmshpërblimeve, të cilat i atribuohen “abuzimit me sistemin gjyqësor”.
Sipas kompanisë Marsh, çmimet e këtyre sigurimeve janë rritur për 23 tremujorë radhazi, me një rritje prej 8% vetëm në tremujorin e parë të 2024.
Rritja ka vijuar edhe pse siguruesit kanë shtuar përjashtimet dhe ulur shumën maksimale që paguajnë për një dëmtim.
Drejtori ekzekutiv i Everest, Jim Williamson, paralajmëroi: “S’do të jetë më çështje çmimi – thjesht nuk do të ketë sigurim të disponueshëm.”
Përjashtimet e reja përfshijnë raste që lidhen me: shkelje të privatësisë, ndotës kimikë të qëndrueshëm, abuzim seksual, trafikim njerëzor dhe akuza ndaj sektorëve të pasurive të paluajtshme dhe të turizmit.
Pavarësisht këtyre kufizimeve, pretendimet ligjore po vazhdojnë të rriten. Kompanitë e sigurimeve po lobojnë për ligje që kufizojnë të drejtën për të paditur, ndërsa kritikojnë edhe industrinë e financimit të padive, që sipas tyre nxit procese të tepërta gjyqësore.
Everest ka paralajmëruar investitorët se ka mënjanuar 1.7 miliardë dollarë për humbjet nga këto produkte. Kompania ka rritur çmimet për sigurimin e përgjegjësive shtesë me 20–25% në vit.
Williamson tha se kjo krizë vjen nga një kombinim i mashtrimeve, abuzimit me sistemin gjyqësor dhe vendimeve të ekzagjeruara të jurive.
Ai shtoi se shumat marramendëse të dëmshpërblimeve janë kthyer në “normale”.
Ndërkohë, CEO i Chubb, Evan Greenberg, bëri thirrje për shkëputje nga fondet që financojnë proceset gjyqësore, ndërsa Aspen Bermuda paralajmëroi se kompanitë e transportit mund të mbeten pa mbulim sigurimi në muajt në vijim.
Sipas tyre, asnjë kompani e re nuk po hyn në treg për të ulur çmimet.
Përkundrazi, pritet tërheqje nga disa shtete amerikane dhe një kosto gjithnjë më e madhe për konsumatorët.