Sot në orën 20:00 do të luhet gjysmëfinalja e dytë e fazës “Final 4”, ku Egnatia do të përballet me Vllazninë në “Air Albania”.
Rrogozhinasit e mbyllën gati në mënyrë perfektë kampionatin, duke u renditur në vendin e parë. Pak dit më parë arritën të fitonin edhe Kupën e Shqipërisë, pasi arritën të mundnin Kukësin në finale, duke u shpallur kampion për të dytin vit radhazi. Ka qenë një javë e lodhshme për ta, por megjithatë trajneri Edlir Tetova pritet të luaj me formacionin më të mirë të mundshëm kundër shkodranëve.
Nga ana tjetër, kuqeblutë e Vllaznisë vijnë sot në “Air Albania” me organikën e plotë dhe të karikuar. Mos të harrojmë se trajneri Brdariç, vendosi të lejë të gjithë titullarët pushim në përballjen e fundit të kampionatit kundër Skënderbeut, për t’i mbajtur të freskët në këtë gjysmëfinale.
Shkodranët kërkojnë finalen, dhe pse jo edhe titullin kampion, që mungon në qytetin verior që nga viti i largët 2001.