Nga Ferrari te Rolls-Royce, bashkë me Lamborghini-t e Maserati-t ku nuk mungojnë as Bentlly-t e Cadillac-ët, shqiptarët, ata të pasur, kanë aktualisht në pronësi 21,814 makina luksoze.
Pjesa më e madhe e tyre, mbi 18 mijë kanë fuqi motorike mbi 3 mijë kubikë ndërsa 3 mijë e 668 automjete vlejnë së paku 5 milionë lekë.
Për shkak të tipologjive të veçanta, që i bëjnë këto automjete të përkufizohen si “luksoze”, pronarët e tyre paguajnë në shtet 70 mijë lekë tarifë regjistrimi dhe më pas çdo vit, një taksë në vlerën e 21 mijë lekëve.
Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tregojnë se vitin e shkuar në arkën e shtetit u futën mbi 290 milionë lekë, 25.4 milionë lekë apo 9.6 për qind më tepër se gjatë 2022-shit.
Me gjithë krizën e çmime dhe pasigurive të tjera ekonomike, gjatë vitit të shkuar, flotës së bollshme të luksit, iu shtuan edhe të tjera automjete.
Vetëm nga tarifa e regjistrimit për herë të parë të mjetit, pra të blerjes së mjetit, “tatimet” arkëtuan gati 187 milionë lekë.
Kjo shifër është gati 37 milionë lekë apo 24.4 për qind më e lartë se në vitin 2022.
Automjetet luksoze në vend përgjithësisht zotërohen nga biznesmenë, këngëtarë, aktorëve apo edhe politikanë.
Një pjesë e tyre janë në pronësi të trupës diplomatike që shërben në Shqipëri apo edhe institucioneve shqiptare, por për shkak të statusit që zotërojnë për këto mjete nuk paguhet taksa e luksit.