10.5 C
Tirana
Thursday, January 22, 2026
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetFatkeqësitë natyrore dhe mungesa e mbrojtjes financiare, alarm nga Shoqata

Fatkeqësitë natyrore dhe mungesa e mbrojtjes financiare, alarm nga Shoqata

Fatkeqësitë natyrore po shndërrohen gjithnjë e më shumë në një realitet të përsëritur për Shqipërinë, me pasoja të drejtpërdrejta mbi jetën e qytetarëve, ekonominë dhe financat publike.

Në një analizë të saj, Shoqata vlerëson se përmbytjet, zjarret, rrëshqitjet e dheut dhe tërmetet nuk janë më ngjarje të jashtëzakonshme, por rreziqe të vazhdueshme që nxjerrin në pah mungesën e mbrojtjes financiare dhe dobësitë strukturore në menaxhimin e riskut.

Sipas Shoqatës, pavarësisht ekspozimit të lartë ndaj këtyre rreziqeve, niveli i sigurimit nga fatkeqësitë natyrore në Shqipëri mbetet shumë i ulët.

Si pasojë, pjesa më e madhe e dëmeve ekonomike përballohet drejtpërdrejt nga individët dhe bizneset, ose në mënyrë indirekte nga taksapaguesit, përmes buxhetit të shtetit.

Shqipëria renditet ndër vendet me rrezikshmëri të lartë për shkak të pozicionit gjeografik dhe zhvillimit urban shpesh të pakontrolluar. Megjithatë, sigurimi i pronës nga fatkeqësitë natyrore mbetet minimal.

Primi mesatar vjetor për frymë është rreth 10 euro, ndërsa vetëm një pjesë shumë e vogël e banesave është e siguruar, kryesisht ato të lidhura me kredi bankare.

Në këtë kuptim, Shoqata nënvizon se sigurimi ende nuk funksionon si një zgjedhje e vetëdijshme për menaxhimin e riskut, por më shumë si një detyrim formal.

Raporti thekson se sa herë ndodh një fatkeqësi natyrore, hendeku mes dëmeve reale dhe nivelit të mbulimit me sigurim bëhet i dukshëm.

Vetëm një pjesë e vogël e humbjeve kompensohet nga tregu i sigurimeve, ndërsa pjesa tjetër mbetet barrë për familjet, bizneset dhe financat publike. Dëmshpërblimet nga buxheti, sipas Shoqatës, nuk përbëjnë një fond të veçantë solidariteti, por financohen nga taksat e qytetarëve, duke e bërë këtë model as të drejtë dhe as të qëndrueshëm.

Shoqata vë në dukje gjithashtu se niveli i ulët i sigurimeve nuk lidhet vetëm me mungesën e ndërgjegjësimit.

Në shumë raste, vetë ekspozimi i lartë ndaj riskut, ndërtimet në zona të rrezikuara, mungesa e dokumentacionit ligjor dhe masave parandaluese e bëjnë sigurimin të pamundur ose shumë të kushtueshëm. Kjo tregon se sigurimi nuk mund të funksionojë i shkëputur nga planifikimi urban, kontrolli institucional dhe politikat parandaluese.

Sipas Shoqatës, menaxhimi i riskut kërkon një qasje të integruar dhe afatgjatë, që përfshin parandalimin, investimet në infrastrukturë, planifikimin urban, hartëzimin e zonave të rrezikut, sistemet e paralajmërimit të hershëm dhe sigurimin si instrument financiar për ndarjen e riskut.

Duke iu referuar përvojave ndërkombëtare, Shoqata thekson se vendet me ekspozim të lartë ndaj fatkeqësive natyrore kanë ndërtuar skema kombëtare ose të detyrueshme sigurimi, të kombinuara me mbështetje publike për shtresat në nevojë. Një qasje e tillë, sipas saj, do të rriste ndjeshëm mbulimin financiar, do të ulte presionin mbi buxhetin e shtetit dhe do të siguronte një shpërndarje më të drejtë të riskut.

Në përfundim, Shoqata vlerëson se Shqipëria nuk mund të mbështetet më vetëm te fondet emergjente dhe dëmshpërblimet pas fatkeqësive.

Kalimi drejt një sistemi modern të menaxhimit të riskut kërkon ndryshim qasjeje: nga reagimi i përkohshëm te planifikimi afatgjatë, nga pritshmëria ndaj shtetit te përgjegjësia e përbashkët dhe nga mbulim minimal te sigurim masiv. Vetëm kështu, theksohet në analizë, vendi mund të ndërtojë një ekonomi më të qëndrueshme përballë fatkeqësive natyrore.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat