Nuk ishte zhvlerësimi i Euros shkaku kryesor i rënies së eksporteve me 9.5% gjatë vitit 2023.
Sipas studimit të Bankës së Shqipërisë faktorë kryesor renditet ecuria jo e mirë ekonomike në Eurozonë, por dhe rënia e çmimeve të lëndëve të para në tregjet ndërkombëtare.
Por sa qëndron kjo analizë për eksportuesit, të cilët pas tatëpjetës që mori euro, një vit më pare, regjistruan 47 miliardë lekë më pak fitime.
“Në raportin e bankës thuhet që ka probleme me eurozonën, duke qenë në kontakt të vazhdueshëm me eksportuesit por duke qenë dhe vet një eksportues, po ju them se kriza jonë nuk është për shkak të problem në eurozonë. Aq sasi sa prodhon Shqipëria nuk ka problem të përthithen nga eurozona. Ne produktet po ja ofrojmë me kërkesa për çmime 20% më të larta çka na ka frenuar”, thotë për A2 CNN Albana Zusi, Eksportues.
Nëse ndalemi tek rënia e çmimeve të lëndëve të para në tregjet ndërkombëtare, ajo prodhon një efekt negativ në vlerën e prodhimeve shqiptare.
Ky, sipas eksportuesve, është një pasqyrim i situatës së rëndë që ata po kalojnë.
“Nëse zëri që ka rënë më tepër është zëri i makineri pajisje dhe lëndëve të para është një tjetër kambanë alarmi që duhet të shqetësojë të gjithë komunitetin”, shton ai.
Ndërkohë Banka e Shqipërisë gjykon se kursi aktual i këmbimit ku euro po këmbehet afër 104 lekë do të vazhdojë përgjatë gjithë vitit.
“Në fakt nuk është gjë tjetër veçse një kambanë për gjithë bizneset rajonale, serbe maqedonse, malazeze që hajdeni se edhe një vit s’do ju lëviz euro, shisni në Shqipëri”.
Një vështrim i kursit të këmbimit përgjatë 2023-shit tregon se euro është zhvleftësuar në terma vjetorë me rreth 10% në lekun.