8.5 C
Tirana
Friday, November 22, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetEuro dhe Paundi në minimumin historik, Dollari prek vlerën më të ulët...

Euro dhe Paundi në minimumin historik, Dollari prek vlerën më të ulët në 12 vjet

Leku po fiton pozita gjithnjë e më të forta në kursin e këmbimit kundrejt valutave kryesore.

Përveçse është forcuar më shumë se kurrë më parë kundrejt Euros monedha vendase po forcohet ndjeshëm edhe kundër Dollarit Amerikan.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Dollari Amerikan u këmbye sot me 99.4 lekë, duke rënë poshtë kufirit të 100 lekëve për herë të parë në pothuajse 12 vjet, (shtatori i vitit 2011).

Ndërkohë, Euro vazhdoi edhe sot rënien në kursin e këmbimit me Lekun. Monedha europiane u këmbye mesatarisht me 106.3 lekë, duke rënë për herë të parë poshtë kufirit të 107 lekëve dhe duke shënuar, për të tetën ditë radhazi, një minimum të ri historik.

Në rënie të ndjeshme paraqitet edhe Paundi Britanik, që sot u këmbye me 123 lekë, niveli më i ulët historik në kursin e këmbimit me Lekun (të paktën prej vitit 2004, kur nis seria e të dhënave historike të Bankës së Shqipërisë).

Ekspertët shpjegojnë se kursi i Dollarit Amerikan dhe valutave të tjera në raport me lekun është i lidhur ngushtë me kursin e Euros, që ngelet pikë referimi për agjentët valutorë në Shqipëri, sepse është monedha e huaj më e lehtë për t’u tregtuar në tregun e brendshëm.

Fakti që Euro vlen më pak se kurrë kundrejt Lekut mund të shpjegojë edhe nënçmimin e fortë të Dollarit dhe Paundit ndaj monedhës sonë, e gërshetuar pjesërisht edhe me zhvillimet në tregjet valutore botërore, ku Euro në muajt e fundit ka një tendencë mbiçmuese, veçanërisht ndaj Dollarit Amerikan.

Rënia e Euros, Dollarit dhe Paundit po e bën lekun gjithnjë e më të fortë ndaj monedhave të partnerëve kryesorë tregtarë. Këto zhvillime kanë tendencë t’i bëjnë më të lira importet e mallrave nga jashtë dhe të zbusin presionet e jashtme inflacioniste në ekonomi.

Euro është monedha dominuese në këmbimet tregtare, por edhe Dollari Amerikan ka një rol të rëndësishëm, sidomos në tregjet e lëndëve të para dhe të karburanteve.

Por, njëlloj siç po ndodh me Euron, forcimi i lekut po ndikon negativisht segmentin e eksporteve në Dollarë Amerikanë, veçanërisht në sektorë si nafta apo bimët medicinale. Në këtë mënyrë, Leku i fortë po bëhet një kërcënim për konkurrueshmërinë e eksporteve shqiptare të mallrave, por edhe të shërbimeve, përfshirë këtu ato turistike.

Në rastin e kursit me Paundin, efektet mund të jenë veçanërisht të rëndësishme te remitancat. Vlerësohet se remitancat nga shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe kanë ardhur në rritje gjatë viteve të fundit dhe zhvlerësimi i Paundit ndaj Lekut dëmton familjet pritëse të këtyre dërgesave.

 

 

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat