Tkurrja e forcës punëtore në Shqipëri, kryesisht për arsyeje emigrimi, po çon edhe në plakjen e popullsisë.
Për eksperten e Ekonomisë Teuta Nunaj, e ftuar në A2 Business, skema e pensioneve nuk vihet në rrezik nga këto indikatorë, por pyetja qëndron diku tjetër.
“Kjo është skemë shtetërore dhe nuk do të çojë në falimentim, sepse diferenca do të paguhet nga buxheti i shtetit. Por nëse do flasim sesi ndikon kjo skemë e pensioneve në të ardhmen, atëherë qeveria duhet të përgjigjet sesi mund të zgjidhim rritjen e kontributeve direkte. Kontributet private janë zgjidhja që do t’i mundësonte pensionisteve të marrin një pension më të lartë, dhe do të zvogëlonte hendekun e madh që ka skema e pensioneve”.
Për eksperten e Ekonomisë Zana Guxholli, “në këto vite situata është rënduar. Sot kemi një raport të pensionistëve me të punësuarit që është 1 me 1.3, nga pakësimi i lindjeve, emigracioni, por edhe nga pagat e formalizuara. Janë bërë përpjekje, edhe nga kjo qeveri për hir të së vërtetës. Por në ketë skemë paratë merren nga buxheti, nga taksat që paguajmë në të gjithë, dhe një pjesë futet te skema e pensioneve, diçka e papranueshme”.
Sipas Guxhollit, janë bërë ndryshime numerike si rritja e pagës minimale, rritja e përqindjes së kontributit dhe ndryshmi i moshës së pensionit, por janë ndryshime numerike që kanë pasoja që rregullojnë në një anë dhe prishin në tjetrën, nuk çojnë në të ardhura shtesë, pensionet i kemi aq të ulëta sa rritjet nuk ndryshojnë situatën.
LEXO EDHE: Pensioni mesatar në Shqipëri rreth 14,000 Lekë, a mjafton? Zgjidhja që nevojitet