11.5 C
Tirana
Friday, November 22, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetEksperti ngre alarmin: Shkalla e vdekshmërisë nga kanceri në Ballkan, shumë më...

Eksperti ngre alarmin: Shkalla e vdekshmërisë nga kanceri në Ballkan, shumë më e lartë se sa në BE

Vendet e Ballkanit kanë një përqindje shumë më të lartë të vdekshmërisë nga sëmundjet që kanë lidhje me kancerin se sa vendet e Evropës Perëndimore.

Bashkim Ziberi, profesori i fizikës mjekësore në Universitetin e Tetovës dhe aktivist i shëndetit botëror, thotë në një interviste me Zërin e Amerikës se pavarësisht se numri i të prekurve me kancer në Ballkan është më i ulët se sa në BE, shkalla e vdekshmërisë në Ballkan është 60 % ndërsa në vendet e bllokut evropian është 35 %.

Gjatë bisedës me kolegun Artan Haraqija, profesor Ziberi i cili ka qenë pjesëmarrës i programit Fulbright në Institutin për Kancerin ‘Dana Farber’ të Universitetit të Harvardit, sqaron arsyet pse ekziston ky dallim i madh.

Ai ndodhet këto ditë në Uashington si bashkëorganizator i takimit për shëndetin botëror që ka për qëllim të zbusë pabarazinë në zbulimin e hershëm dhe trajtimin e pacientëve me kancer në vendet me të ardhura të ulëta në raport me vendet e zhvilluara.

Pjesë nga intervista: 

Zëri i Amerikës: Ju jeni një nga bashkorganizatorët e takimit për shëndetin Global në Uashington. Mund të na flisni pak për këtë takim?

Bashkim Ziberi: Që në vitin 2018, kur isha me Fullbright në Fakultetin e Mjekësisë të Harvardit filluam të bashkëpunojmë në lidhje me shëndetin botëror. Përveç takimit vjetor që organizohet në Shtetet e Bashkuara ka dhe takime të tjera që organizohen në vende të ndryshme të botës. Ideja e këtyre takimeve është për të mbledhur aktorë të ndryshëm të fushave të ndryshme për të diskutuar, bashkëpunuar dhe rritur bashkëveprimin në luftën ndaj sëmundjeve kancerogjene. Kjo bëhet veçanërisht për të ulur pabarazinë në cilësinë e trajtimit të këtyre sëmundjeve në vendet e zhvilluara në raport me vendet në zhvillim ose siç iu themi ne, vendet me të ardhura të ulëta apo mesatare.

Zëri i Amerikës: Vendet e rajonit përfshihen tek vendet e pazhvilluara? Ju pyes sepse dihet që pacientët që vuajnë nga kanceri në rajon kryesisht nuk gjejnë shërim në Ballkan.

Bashkim Ziberi: E dimë të gjithë që sëmundjet që kanë lidhje me kancerin janë faktori numër një i vdekjeve në botë. Në vendet e zhvilluara dhe në vendet në zhvillim është faktori i parë apo i dyti. Vendet tona hyjnë në listën e vendeve në zhvillim. Ka publikime të ndryshme shkencore që nga njëra anë tregojnë se numri i rasteve me kancer në vendet tona është më i ulët se sa në vendet e Bashkimit Evropian apo vendet e Evropës perëndimore, por nga ana tjetër vdekshmëria është shumë më e lartë. Nëse mbështetemi në këto të dhëna shkencore, vdekshmëria në vendet e Ballkanit është rreth 60 përqind, ndërsa në vendet e Evropës perëndimore kjo shifër është 34 apo 35 %.

Zëri i Amerikës: Cilat janë shkaqet kryesore për këtë?

Bashkim Ziberi: Shkaqet kryesore janë në cilësinë e trajtimit të pacientëve. Duke filluar nga zbulimi i hershëm që është një element jashtëzakonisht i rëndësishëm, më pas janë kontrollet e rregullta, mundësitë që u jepen njerëzve tek ne për të bërë analiza të rregullta dhe deri tek cilësia e shërbimit që u ofrohet pacientëve pasi diagnostikohen. Të gjithë këta elementë së bashku e përbëjnë atë ciklin që për fat të keq tek ne nuk funksionon ashtu siç duhet dhe kjo reflektohet edhe me numrin e lartë të vdekshmërive në raport me vendet e zhvilluara.

LEXO EDHE: Parandalimi i sëmundjeve/ Si na shërben “CHECK UP-i sipas Protokollit Japonez”

Zëri i Amerikës: Ju keni përvojë në kërkimet shkencore që kanë të bëjnë me trajtimin e sëmundjeve që kanë lidhje me kancerin me anë të nanogrimcave. Mund të flisni pak për këtë teknikë dhe të njejtën kohë a po shfrytëzohet kjo teknikë në ndonjë prej klinikave në Maqedoninë e Veriut, apo në rajon?

Bashkim Ziberi: Jo, në vendet e Ballkanit as që mendohet të zhvillohet ndonjë teknikë e tillë. Metodat dhe teknikat standarde që ekzistojnë janë ato që përdoren për diagnostikimin dhe trajtimin dhe që shrytëzohen atëherë kur kanceri është zhvilluar. Kur është fjala për nano-teknologjinë dhe nano-grimcat, ato mund të përdoren në të dyja rastet: për diganostikim dhe trajtim. Për këtë metodë, që të zbulosh sëmundjet kancerogjene, të duhet vetëm një grumbull i vogël qelizash kancerogjene. Pjesa e nano-teknologjisë dhe nano-grimcave ka marrë hov të madh në fusha të ndryshme, në grupe të ndryshme shkencore për trajtimin e sëmundjeve kancerogjene. Një pjesë e mirë e tyre janë akoma në fazën e studimeve para-klinike dhe klinike. Për shembull, për atë pjesën me të cilën jemi marrë në Fakultetin e Mjekësisë në Harvard, në Institutin e Kancerit Dana-Farber, kolegët vazhdojnë ta ndjekin këtë çështje dhe momentalisht janë në fazën e krijimit të studimit klinik me 25 pacientë.

Zëri i Amerikës: Ju përmendët se shkalla e vdekshmërisë në vendet e rajonit është shumë më e lartë se sa në vendet e BE-së, por e dini se cili është lloji i kancerit që prek më së shumti banorët e Ballkanit?

Bashkim Ziberi: Në vendet tona kanceri numër një është ai i mushkërive dhe në pjesën më të madhe ka të bëjë me konsumimin e lartë të duhanit. Lloji tjetër është kanceri i gjirit tek gratë, pastaj kanceri i zorrës së trashë, e kështu me radhë. Duhet përmendur se një pjesë e këtyre llojeve të kancereve kanë mundësi të mira shërimi nëse mund të zbulohen me kohë. Ka edhe lloje të tjera të kancereve që janë më vdekjeprurës dhe që janë në përqindje më të vogël tek pacientët, por që vdekshmëria është mbi 95 % siç është kanceri i pankreasit.

SHIFRA TË LARTA EDHE NË SHQIPËRI

Edhe Shqipëria regjistron çdo vit mbi 6,500 raste të reja me sëmundje tumoriale, ndërsa specialistët parashikojnë shtim të rasteve, edhe në mosha të reja, gjatë viteve në vazhdim.

Mjafton të shohësh rradhët e gjatë të njerëzve pranë Shërbimit të Onkologjisë në QSUT për të kuptuar sesa problematike janë shndërruar këto sëmundje për shoqërinë tonë.

LEXO EDHE: Një akt dashurie për jetën dhe shëndetin/ Pse nevojitet “Sigurimi anti-Tumor”

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat