12.5 C
Tirana
Friday, November 14, 2025
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetEKSKLUZIVE e SIGURIME.ONLINE: BE paguan përmes fondit të solidaritetit tri fatkeqësitë më...

EKSKLUZIVE e SIGURIME.ONLINE: BE paguan përmes fondit të solidaritetit tri fatkeqësitë më të mëdha të vitit në Evropë, por sa ishin dëmet e tyre të siguruara?

Parlamenti Europian miratoi të enjten paketën e ndihmës prej mbi 1 miliard eurosh për Spanjën dhe Francën, pas përmbytjeve shkatërruese dhe cikloneve që goditën këto vende në fund të vitit 2024 dhe fillim të 2025.

Me 622 vota pro, 10 kundër dhe 3 abstenime, eurodeputetët dhanë dritën jeshile për mobilizimin e fondeve nga Fondi i Solidaritetit të BE-së.

Ndihma përfshin 946.1 milionë euro për Spanjën, e dëmtuar rëndë nga përmbytjet në rajonin e Valencias në tetor 2024. Majote në Francë do të përfitojë 89.6 milionë euro pas Ciklonit Chido, ndërsa Réunion do të marrë 21.2 milionë euro për dëmet nga Cikloni Garance.

Fondi i Solidaritetit të BE do të mbështesë operacionet e pastrimit dhe rikthimin në funksion të energjisë, ujit, kanalizimeve, telekomunikacioneve, transportit, si dhe infrastrukturave të shëndetësisë dhe arsimit.

Shpërndarja e dëmeve

Të dhënat e fundit mbi dëmet e shkaktuara nga tre fatkeqësitë natyrore më të mëdha në Evropë, konkretisht përmbytjet në Valencia dhe ciklonet Garance e Chido, tregojnë diferenca të ndjeshme mes dëmeve të siguruara dhe atyre të pambuluara nga sigurimet.

Në ishullin Réunion, dëmet e siguruara nga cikloni Garance arrin në rreth 379 milionë euro, sipas shoqatës franceze të siguruesve.

Përqindja e mbulimit konsiderohet e lartë, pasi pjesa dërrmuese e dëmeve infrastrukturore dhe të banesave është kompensuar nga skema franceze nat-cat. Dëmet e pasiguruara mbeten minimale.

Në Majote, dëmet e shkaktuara nga cikloni Chido vlerësohen midis 650 dhe 800 milionë euro, ndërsa siguruesit po paguajnë gradualisht faturën prej 500 milionë euro.

Kjo tregon se rreth 60–75% e dëmeve totale janë të siguruara, ndërsa pjesa e mbetur rreth 200 deri 300 milionë euro mbeti e pasiguruar dhe rëndoi mbi familjet dhe autoritetet lokale.

Sa u takon përmbytjeve në Valencia, në terminologjinë e sigurimeve, ky ishte eventi me humbjet më të mëdha në Evropë në vitin 2024.

Sipas vlerësimeve të Munich Re, dëmet totale ishin rreth 11 miliardë dollarë, prej të cilave 4.2 miliardë dollarë ishin dëme të siguruara. Consorcio de Compensación de Seguros (konsorciumi shtetëror për sigurimin e rreziqeve katastrofike) vlerësoi se ky event do t’i kushtonte rreth 3.5 miliardë euro, më shumë se trefishi i humbjes së saj më të lartë deri tani dhe ishte ngjarja më e keqe natyrore e regjistruar ndonjëherë në Spanjë.

Duke llogaritur se dëmet totale në rajon kanë qenë dukshëm më të larta se shifra e mbuluar nga sigurimet, vlerësohet se rreth gjysma e dëmeve kanë mbetur të pasiguruara.

Dallimet mes zonave tregojnë ndikimin e penetrimit të sigurimeve dhe skemave publike të kompensimit.

Franca mban një mbulim më të fortë të rreziqeve natyrore në territoret e saj, ndërsa në Valencia pjesa e pakompensuar tregon nevojën për rritje të sigurimit të banesave dhe infrastrukturës kundër fatkeqësive natyrore në një Evropë gjithnjë e më të ekspozuar ndaj ekstremeve klimatike.

Fondi i Solidaritetit dhe rëndësia e sigurimit të pronës

Që prej krijimit në vitin 2002, Fondi i Solidaritetit të BE-së ka dhënë mbi 9.6 miliardë euro në ndihma, duke reaguar ndaj 136 krizave të mëdha në 24 shtete anëtare dhe vende kandidate.

Ngjarjet e fundit nga Valencia dhe territoret franceze treguan se Europa po përballet me fatkeqësi natyrore gjithnjë e më të shpeshta dhe më të kushtueshme.

Fondi i Solidaritetit të BE-së ofron një mbështetje jetike për operacionet emergjente dhe rindërtimin e infrastrukturës, ai nuk mund të zëvendësojë kurrsesi mbrojtjen individuale dhe familjare që ofrojnë sigurimet private.

Të dhënat e cikloneve Chido dhe Garance tregojnë qartë se zonat me një penetrim të lartë të sigurimeve rikuperojnë më shpejt dhe me barrë shumë më të ulët financiare për qytetarët dhe autoritetet lokale.

Përkundrazi, në Valencia, ku më shumë se gjysma e dëmeve mbetën të pasiguruara, ngarkesa ekonomike bie drejtpërdrejt mbi familjet, bizneset dhe buxhetin publik.

Në kushtet e ndryshimeve klimatike, sigurimi i pronës është një investim që ul kostot e krizave, përshpejton rimëkëmbjen dhe mbron ekonominë familjare nga goditjet e papritura.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat