10.5 C
Tirana
Monday, January 26, 2026
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetEkofin zbardh ekskluzivisht detaje për draftin e shumëdisktuar të projektligjit

Ekofin zbardh ekskluzivisht detaje për draftin e shumëdisktuar të projektligjit

Sipas Ekofin.al, një version i ri i projektligjit për sigurimin e detyrueshëm të banesave, i cili ka kaluar tashmë në fazën e konsultimit publik, zgjeron mbulimin nga vetëm tërmetet drejt përfshirjes së përmbytjeve, duke reflektuar ekspozimin e shtuar të banesave ndaj këtij rreziku dhe episodet e fundit të përmbytjeve në vend.

“Drafti synon të ndërtojë një mekanizëm të detyrueshëm financiar për të përballuar humbjet materiale në banesa, duke zhvendosur gradualisht peshën nga reagimi pas ngjarjes drejt parandalimit dhe menaxhimit të riskut”, shpjegon portali Ekofin.

Skema do të administrohet nga Fondi Kombëtar, në formën e një SH.A-je shtetërore, duke lënë jashtë shoqëritë e sigurimit.

Drafti i ri parashikon se sigurimi detyrues zbatohet për banesat dhe njësi brenda tyre që përdoren si zyra apo për qëllime të ngjashme, ndërsa ndërtesat me material të dobët (argjilë, qerpiç, fibër-kallami) apo të përkohshme përjashtohen.

Sipas Ekofin, detyrimin e sigurimit e kanë pronarët dhe përdoruesit që kanë kontrata energjie ose ujë, pavarësisht nga dokumentacioni i pronësisë.

“Në skemë përfshihen edhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për banesat sociale, ku primi financohet nga buxheti i tyre. Buxheti i shtetit mbulon primin për personat që përfitojnë ndihmë sociale,” saktëson portali i specializuar ekonomik.

Drafti mbulon dëmet në pasuri të paluajtshme nga tërmeti dhe përmbytjet gjatë vlefshmërisë së policës, duke përjashtuar dëmtimet trupore, humbjet jopasurore dhe ndërprerjen e aktivitetit ekonomik.

Megjithatë, Ekofin thekson një ndryshim: për rastet e sigurimit nga përmbytjet, skema përfshin edhe sendet brenda banesës.

Primi do të paguhet nga i siguruari, me një pjesë të zbritshme prej 2% të vlerës së dëmshpërblimit. Metodologjia aktuariale për përcaktimin e primve dhe klasifikimin e banesave sipas riskut do të miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave pas pëlqimit të AMF.

Ekofin raporton se kontrata mund të paguhet edhe elektronikisht, hyn në fuqi në orën 24:00 të datës së shënuar dhe pezullohet automatikisht në rast vonese. Ndryshimi i pronësisë nuk ndërpret kontratën, por pronari i ri duhet të njoftojë Fondin brenda 15 ditëve.

Fondi Kombëtar, sipas Ekofin, ka pavarësi operacionale dhe financiare, financohet nga primet, risigurimi, investimet dhe buxheti i shtetit, dhe raporton dy herë në vit te ministri i Financave dhe AMF. Drafti parashikon lidhjen e sigurimit me shërbimet publike: pa kontratë të vlefshme, qytetari nuk mund të kryejë regjistrime kadastrale apo shërbime në e-Albania dhe QKB.

Ekofin vëren se përmbytjet do të administrohen gradualisht, në zona të caktuara sipas modelit aktuarial të riskut, duke marrë parasysh zonat urbane, karakteristikat e banesave dhe probabilitetin e ngjarjeve. Drafti hyn në fuqi 12 muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare, ndërsa brenda po atij afati Këshilli i Ministrave duhet të nxjerrë aktet nënligjore për zbatimin.

Portali thotë se ky ndryshim transformon skemën nga një sigurim për riskun sizmik në një instrument më të gjerë të menaxhimit të fatkeqësive natyrore, ku Fondi Kombëtar mbetet hallka qendrore dhe shoqëritë private mund të veprojnë vetëm si agjentë të polisave.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat