Autoriteti Evropian i Sigurimeve dhe Pensioneve Profesionale (EIOPA), si anëtar aktiv i Rrjetit për Sistemin Financiar të Gjelbër (NGFS) njoftoi publikimin e “Deklaratës mbi Kostot Ekonomike të Mosveprimit Klimatik”, me rastin e Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike 2025 (COP30) në Belém, Brazil.
Dokumenti i ri thekson rreziqet makroekonomike dhe financiare të vonesave në veprimin klimatik dhe riafirmon angazhimin e NGFS për një tranzicion të rregullt drejt një ekonomie me karbon të ulët.
Në deklaratë, NGFS, një koalicion global prej 146 bankash qendrore dhe autoritetesh mbikëqyrëse financiare dhe 23 vëzhgues, paralajmëron se:
(a) Kostot ekonomike të mosveprimit klimatik po rriten, duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në mandatin bazë të bankave qendrore dhe rregullatorëve financiarë
(b) Vonesa trevjeçare në veprimet për tranzicion mund të përgjysmojë efektivitetin e tyre, duke rritur kostot nga 0.5% në 1.3% të PBB-së globale deri në vitin 2030
(c) Krizat klimatike mund të shkaktojnë përhapje globale, duke dëmtuar sistemet ushqimore, tregjet e energjisë dhe zinxhirët e furnizimit, me pasoja të rënda për ekonomitë e brishta
(d) Institucionet financiare duhet të integrojnë rreziqet klimatike dhe të natyrës në strategjitë e tyre, përmes analizës së skenarëve, standardeve të raportimit dhe planeve të tranzicionit
Deklarata bazohet në punën e fundit të NGFS, veçanërisht në modelet e skenarëve të klimës, që ndihmojnë bankat qendrore dhe mbikëqyrësit të përfshijnë rreziqet klimatike në politikat e tyre.
Organizata thekson se trajtimi i rreziqeve të klimës si rreziqe të mirëfillta financiare sjell përfitime për stabilitetin financiar dhe për planetin.
EIOPA nënvizon angazhimin e saj për një sistem financiar më të gjelbër, duke integruar rreziqet e qëndrueshmërisë në kuadrin prudencial të siguruesve, duke zgjeruar disponueshmërinë e të dhënave dhe duke promovuar modelimin e ndryshimeve klimatike.
Institucioni ka ngritur gjithashtu shqetësimin për hendekun e mbrojtjes ndaj rreziqeve klimatike në Evropë, duke propozuar zgjidhje praktike për të forcuar reziliencën shoqërore.
“Aftësia e siguruesve për të vlerësuar rreziqet dhe horizonti i tyre afatgjatë i investimeve i vendos ata në pozicion ideal për të udhëhequr tranzicionin klimatik. Por ata nuk mund ta bëjnë këtë vetëm. Shfaqja e ‘shkretëtirave të sigurimit’ në disa zona të botës tregon pasojat sistemike të rreziqeve klimatike për reziliencën ekonomike.”, u shpreh kryetarja e EIOPA-s, Petra Hielkema
NGFS do të marrë pjesë në disa aktivitete të COP30 me synimin për të forcuar dialogun mbi rolin e bankave qendrore, mbikëqyrësve dhe sektorit financiar në rritjen e ambicies klimatike globale.
“COP30 është një moment vendimtar për të rikthyer veprimin global mbi baza të forta dhe të besueshme. NGFS është gati të mbështesë këtë përpjekje me analiza të bazuara në shkencë dhe mjete praktike.”,- deklaroi sekretari i Përgjithshëm i NGFS-së, Yann Marin.
NGFS, i themeluar në Samitin One Planet të Parisit në vitin 2017, bashkon autoritete për të ndarë praktikat më të mira dhe për të promovuar menaxhimin e rreziqeve klimatike në sektorin financiar.
Rrjeti drejtohet nga Sabine Mauderer, Zëvendësguvernatore e Bundesbank-ut, ndërsa sekretariati drejtohet nga Yann Marin në Banque de France.




