Turqia, Greqia, Shqipëria, Italia dhe Rumania kanë rrezikun më të lartë nga tërmetet në Evropë, sipas Qendrës Evropiane për Rreziqet dhe Rrezikun nga Tërmetet (EFEHR).
Harta e rrezikut nga tërmetet tregon nivelin e pritshëm të lëkundjeve të tokës në një vend të caktuar, për shkak të tërmeteve që mund të ndodhin aty pranë ose në distancë më të largët.
Lëkundja e tokës matet me “PGA” – Shpejtësia Maksimale e Tokës, e shprehur zakonisht në përqindje të “g”-së, që është përshpejtimi gravitacional i Tokës.
Vlerat e shfaqura në hartën e Evropës bazohen në përllogaritjet e modelit të përditësuar të rrezikut nga tërmetet për Evropën (ESHM20).
Si ta lexojmë hartën e rrezikut nga tërmetet në Evropë
Zonat me rrezik të ulët janë me ngjyrë të bardhë deri në jeshile.
Zonat me rrezik të mesëm janë me ngjyrë të verdhë deri në portokalli.
Zonat me rrezik të lartë janë me të kuqe të errët deri në vjollcë.
Sipas standardeve të projektimit aktual, ndërtesat banimi ose zyrtare që janë të ndërtuara kundër tërmeteve janë të dizajnuara të përballojnë lëkundjet që priten të ndodhin me 10% gjasa brenda një periudhe të caktuar kohe (pra, brenda 50 vjetëve).
Kjo është jetëzgjatja mesatare e një ndërtese banimi dhe përkthehet si një tërmet që pritet të tejkalojë këtë nivel lëkundjeje një herë në 475 vjet (e quajtur “periudha e kthimit” e rrezikut).
Çfarë na tregon harta për rajone të ndryshme në Evropë?
Turqia, Greqia, Shqipëria, Italia dhe Rumania janë vendet me rrezikun më të lartë nga tërmetet në Evropë. Pas tyre vijnë vendet e tjera të Ballkanit.
Megjithatë, rrezik i konsiderueshëm nga tërmetet ekziston edhe në disa zona të Austrisë, Belgjikës, Francës, Gjermanisë, Islandës, Norvegjisë, Portugalisë, Sllovenisë, Spanjës dhe Zvicrës.
Por edhe në zonat me rrezik të ulët ose të mesëm, tërmetet mund të ndodhin në çdo moment.