Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare ka publikuar raportin mbi ecurinë e tregut të sigurimeve në Shqipëri për periudhën janar-qershor 2022.
Sipas AMF, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-qershor 2022 kapën vlerën 9,775 milionë lekë, ose 10.25% më shumë se në janar-qershor 2021.
Gjatë periudhës janar-qershor 2022, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 566,051 me një rritje prej 21.08% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.32% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e Jetës kanë 7.56%.
Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 42.28% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 57.72% të totalit të tregut.
Dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik për periudhën janar-qershor 2022 kapën vlerën 2,156 milionë lekë, duke pësuar një rritje me rreth 3.83% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sigurimi i Detyrueshëm Motorik
Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar-qershor 2022 arritën rreth 5,642 milionë lekë, ose 11.02 % më shumë se në periudhën janar-qershor 2021.
Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar-qershor 2022, pati një rritje prej 6.57% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 4.90% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Produkti Karton Jeshil në periudhën janar-qershor 2022 pati një rritje prej 46.04% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një rritje të numrit të kontratave prej 64.68% krahasuar me periudhën janar-qershor 2021.
Produkti Sigurim Kufitar, në periudhën janar-qershor 2022, pati një rritje 7.25% të vëllimit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar-qershor 2021. Edhe numri i kontratave u rrit me 12.61%.
Sigurimi Vullnetar
Primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar-qershor 2022 arritën rreth 4,133 milionë lekë, 9.21% më shumë se në periudhën janar-qershor 2021. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 33.56% krahasuar me periudhën janar-qershor 2021.
Primet e sigurimit vullnetar të Jo-Jetës gjatë periudhës janar-qershor 2022, patën një rritje me 8.92% kundrejt periudhës janar-qershor 2021.
Në portofolat e Pronës, Përgjegjësive, Garancive të cilat gjatë periudhës janar-qershor 2022 siguruan mbi 1,963 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 69.84%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 22.06% të totalit.
Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë periudhës janar-qershor 2022, vihet re një rritje prej 13.42% e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 6.01% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-qershor 2021.
Të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit, gjatë periudhës janar-qershor 2022, arritën në rreth 729 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 16.55% në krahasim me periudhën janar-qershor 2021.
Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-qershor 2022, arritën rreth 739 milionë lekë, ose 8.97% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.