Vetëm 5% e individëve që kanë llogari bankare e kanë përdorur “E-Baniking” në Shqipëri gjatë vitit 2021. Të dhënat nga “Agjencia Europiane e Statistikave” të publikuara në formën e një ankete mbi “Aktivitetet në Internet”, tregojnë se kjo është përqindja më e ulët ndër të gjitha vendet e Europës.
Mesatarja e Bashkimit Europian për individët të cilët e kanë përdorur këtë shërbim gjatë vitit 2021 është 58%.
Shifrat tregojnë se krahasuar me vitet e tjera, kjo përqindje ka ardhur duke u rritur edhe pse në nivele fare të vogla.
Që nga viti 2018-të kur “Eurostat” disponon të dhëna për Shqipërinë, përqindja e individëve që e përdorin internetin për të kryer transaksione financiare apo pagesa online, është rritur me 3 pikë përqindje.
Gjatë vitit 2018-të dhe 2019-të përqindja e individëve që e përdornin “E-Banking” ishte 2%, për të arritur në 4% gjatë vitit 2020.
RAJONI
Në krahasim me rajonin, vendi ynë renditet i fundit, madje edhe në Europë.
Mali i Zi po ashtu ka ka një përqindje të ulët, duke u renditur një vend para Shqipërisë me 8% të individëve të cilët e kanë përdorur internetin për të kryes pagesa apo veprime financiare online.
Ndër vendet e rajonit, përqindjen më të lartë të këtij treguesi, gjatë vitit 2021, e ka Maqedonia e Veriut me 27%, ndjekur nga Serbia, me 21%. Bosnje Hercegovina regjistron vetëm 13% të individëve që kanë përdorur shërbime financiare online gjatë vitit 2021.
Nëse do të merrnim në krahasim vendet e Europës, Norvegjia mban vendin e parë, me 96%, ndjekur nga Islanda dhe Danimarka, me 95% secila.
Bankingu online favorizon edhe përdorimin e parasë virutale, dhe tranizicionin nga paraja cash. Sipas Bankës së Shqipërisë, kalimi i ekonomisë sonë, nga paraja fizike, drejt asaj virtuale i kursen Shqipërisë deri në 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vit.
/SCAN