Drejtori i departamentit motorik të SIGAL Insurance Group ishte sot paradite i ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, të bashkëdrejtuar nga Krist Martiro dhe Sonila Agostini.
Z. Besnik Çobaj iu përgjigj pyetjeve të gazetares dhe moderatores Agostini, që lidheshin kryesisht për sistemin e ri “bonus-malus”.
Sigurime. Online jua sjell të plotë zbardhjen e kësaj bisede në studio, që drejtuesit e emisionit e kishin nëntitulluar: “Shofer i mirë, shofer i keq”

ZBARDHJA E PLOTË E BISEDËS NË STUDIO
Si përllogariten faktorët e riskut në sistemin e ri “Bonus-Malus”?
Në shtator të vitit të kaluar AMF ka miratuar një rregullore për faktorët e rinj të riskut dhe si do të implementoheshin ata për llogaritjen e primit final të sigurimit të detyrueshëm motorik, që quhet sigurimi TPL. Një ndër këta faktorë risku është edhe eksperienca në drejtimin e mjetit, ose si rëndom njihet: sistemi “Bonus-Malus”. Sistemi aplikimin do ta fillojë nga data 1 janar e vitit 2026. Përllogaritja e tij do të bëhet mbi bazën e aksidenteve që secili drejtues mjeti ka kryer nga 1 janari i vitit 2025. Do të merret viti 2025 si bazë për përllogaritjen e bonusit për ata që nuk janë përfshirë në aksidente dhe të koeficientit malus për ata që kanë bërë 1 ose më shumë aksidente gjatë kësaj periudhe.
Mund të themi se me sistemin e ri askush nuk shpëton, “shofer i mirë” dhe “shofer i keq”, dallimet e tyre do të dalin në pah?
Duke filluar nga 1 janari i 2025-s janë regjistruar të gjitha dëmet që kanë shkaktuar mjetet e ndryshme, apo drejtuesit. Këto dëme do të jenë regjistruar pranë AMF-së, secila kompani sigurimi ka pasur detyrimin t’i raportojë dhe t’i regjistrojë këto dëme. Në bazë të numrit të dëmeve që ka kryer secili drejtues mjeti do të penalizohet në momentin kur do të rinovojë sigurimin e detyrueshëm të mjetit në pronësi të tij, apo të mjetit në përdorim të tij.
Duket sistem më i mirë, më meritokratik në vlerësim dëmi, në gjetje fajtori dhe fundja nuk kanë pse paguajnë të gjithë njësoj.
Sigurisht, këtë qëllim ka pasur edhe rregullorja e re e miratuar nga AMF dhe e zbatuar nga i gjithë tregu i sigurimeve. Së pari të gjithë drejtuesit e mjeteve që shkaktojnë një aksident, që kryejnë një dëm, që është një kosto e shtuar për kompaninë e sigurimit, ata do të paguajnë një prim më të lartë. Ndërkohë që drejtuesit e mirë, drejtuesit me një eksperiencë të mirë në drejtim të mjeteve që nuk kanë shkaktuar aksidente, ata do të gëzojnë përfitimin e një bonusi në momentin që do të rinovohet polica e mjetit të tyre ose në përdorim të tyre duke filluar nga 1 janari 2026.
Edhe dëmet e vogla në aksidente do të ndikojnë?
Pavarësisht vlerës së dëmit. Implementimi i sistemit Bonus-Malus është në fazën fillestare. Për momentin, pavarësisht vlerës së dëmit, ata që kryejnë një dëm do t’u rritet primi, ndërsa ata që nuk kanë kryer dëm do t’u zbresë primi i sigurimit dhe do të paguajnë më pak. Sigurisht, do të kompensohen për eksperiencën e mirë të drejtimit të mjetit.
Si lidhet historiku i sjelljes së një shoferi me primin e sigurimit, që ta kuptojmë?
Ka një prim bazë i cili përllogaritet në bazë të disa faktorëve të riskut dhe për secilin faktor risku ka një koeficient të caktuar. Për shembull, mjetet e vjetra në treg kanë një koeficient më të lartë sigurimi sepse risku është më i lartë për të kryer një aksident. Mjetet e reja dhe mjetet elektrike kanë një risk më të vogël dhe kanë një koeficient më të ulët. Ndërkohë, po kështu, mjetet me fuqi motorike më të lartë kanë prim më të lartë në krahasim me mjetet me fuqi motorike më të ulët, që kanë një prim akoma më të ulët. Pra, janë një sërë faktorësh ku hyn edhe eksperienca, pra mosha e drejtuesit të mjetit, si një ndër faktorët e riskut që vlerësohet me koeficient të ndryshëm. P.sh., nëse keni një leje drejtimi relativisht të re, pra deri në 2 vite, koeficienti është më i lartë sepse edhe risku për të kryer një aksident është më i lartë. Nëse keni një moshë të re deri në 21 vjeç, probabiliteti për të kryer një aksident është më i lartë sesa kur keni eksperiencë më të gjatë dhe koeficienti, risku është më i lartë. Ashtu sikundër, nëse ju gjatë vitit 2025 jeni përfshirë në një aksident, të paktën në një aksident, primi do të rritet deri në 25% në krahasim me një mjet me të njëjtat të dhëna, por i cili nuk ka shkaktuar asnjë aksident.
Kush e mban këtë bazë të të dhënave për saktësinë?
Në një aksident rrugor gjithmonë është Policia në vendin e ngjarjes, që përcakton në një farë mënyre edhe fajësinë, pra shkaktarin e aksidentit, ose nëse dëmet janë të vogla deri në 30 mijë lekë, shkaktari dhe përfituesi mund të plotësojnë një raport që njihet si REA, Raporti Europian i Aksidenteve. Pra, nëse ka një aksident me dëme materiale joshëndetësore deri në 30 mijë lekë të reja, drejtuesit e mjeteve mund të nënshkruajnë, mund të plotësojnë REA duke përcaktuar se kush është fajtori.
Po kështu, kur Policia është në vendngjarje, përsëri përcaktohet fajtori; kompania e cila ka siguruar mjetin shkaktar është e detyruar që të dëmshpërblejë përfituesin dhe ky rast dëmi raportohet në AMF.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare e cila mban regjistrin e dëmeve duke përfshirë mjetin me të dhënat, identitetin e mjetit dhe identifikimin e drejtuesit të mjetit. Në momentin që do të bëhet në 2026 dhe në vijim kur të bëhet rinovimi i sigurimit motorik të detyruar TPL, merren të dhënat, pra baza e të dhënave që është në AMF, konsultohet nga i gjithë tregu i sigurimeve… të gjitha kompanitë e sigurimeve dhe bazuar në numrin e dëmeve që ka sjellë një drejtues mjeti apo një mjet i caktuar, përcaktohet edhe koeficienti i cili do të shumëzohet me vlerën e primit bazë dhe pastaj del primi total për t’u paguar nga klienti.
Koeficienti i gabimit në këtë sistem do të jetë i ulët, apo jo? Nuk mundet t’i shpëtohet?
Praktikisht e pamundur, sepse të gjitha dëmet raportohen. Raportohet kush është shkaktari, kush është përfituesi, ID-ja e shkaktarit, ashtu sikurse edhe numri i shasisë së mjetit dhe nëse mund të ndodhë që të ketë ndonjë gabim njerëzor, ato janë përsëri të rikuperueshme.
Në këtë rast do të themi që sistemi i vlerësimit Bonus-Malus është meritokratik dhe garanton një lloj drejtësie për atë që është shofer i mirë dhe i keq. Të flasim pak për shoferin e mirë e të promovojmë sjelljen e mirë në rrugët tona, rurale apo kombëtare. Sa mund të ndikojë çmimi i primit për ata që s’kanë bërë asnjë aksident gjatë 20 viteve të fundit?
Siç ju thashë, bazuar në rregulloren e AMF-së, pra në shtator 2024, do të merret parasysh vetëm dëmet apo edhe drejtimi i mjetit pa asnjë dëm vetëm gjatë periudhës 2025 e në vijim. Kjo për një arsye: nuk mund të merren dëmet apo drejtimi i mjetit pa asnjë dëm për një periudhë të mëparshme, për arsye parashkrimi, sepse akoma nuk e dinin drejtuesit e mjeteve. Janë vënë në dijeni vetëm në shtator të 2024-s.
Për këtë arsye nuk mund të rivlerësohen dëmet e shkaktuara pa hyrë në fuqi ky sistem vlerësimi…
Pra, nëse ju nuk jeni përfshirë, nuk keni shkaktuar një aksident gjatë vitit 2025, konsideroheni si një drejtues i mirë dhe do të përfitoni bonus.
Historia e vlerësimit nuk mund të nisë më parë se 1 janari i vitit 2025. Shans i mirë për të gjithë që të sillen mirë në rrugë. Pritet ndërgjegjësim…
Ky është promovimi i një drejtimi të përgjegjshëm të mjetit. Normal është që ai që dëmton duhet edhe të zhdëmtojë.
Sa mund ta rrisë transparencën e kompanive të sigurimit?
Secila kompani ka detyrimin që të raportojë shitjet. Shitjet raportohen live. Nuk mundesh të lëshosh një sigurim pa u regjistruar më parë në regjistrin online pranë AMF-së. E njëjta gjë ndodh edhe me dëmet. Pavarësisht se kush është përfshirë, pavarësisht vlerës së dëmit, të gjitha dëmet do të raportohen në AMF. Në momentin që një klient rinovon policën e sigurimit TPL dhe do të shohë që është rritur primi, në sistemin e shitjes të secilit agjent apo secilit punonjës i del edhe arsyeja se pse është kjo vlerë e rritur. Mundet që të jetë bërë një aksident, mundet që të jenë bërë dy aksidente, mundet që mjeti të cilin e ka ndërruar është një mjet me fuqi motorike më të lartë, ashtu sikundër do të shikohet edhe me kënaqësi edhe rënia e primit, për ata që nuk janë përfshirë në aksident, apo për ata që përdorin një mjet të ri apo mjet me fuqi motorike të vogël. Në çdo moment në secilën kompani, çdo klient mund të shikojë jo vetëm primin por edhe arsyen nëse do ta krahasojë me një vit apo me disa vite më parë.
Shoferët e rinj s’janë të përjashtuar nga rregulli, se nuk është se përfitojnë edhe të vjetrit… koha është e shkurtër… 12 muaj.
Pothuajse po.
Shpresoj ta disiplinojë shumë sjelljen e drejtuesve në rrugë një sistem i tillë. Shumë aksidente edhe gjatë javëve të fundit.
Gjatë këtij viti ka pasur një rënie të numrit të aksidenteve me vlera të vogla, këto aksidentet që dokumentohen me REA. Pikërisht duke pasur parasysh: “shiko, nuk po abuzojmë, se vitin tjetër më rritet primi i sigurimit”. Një gjë jo e keqe.
Një pengesë psikologjike, që e dinë se do të paguajnë më shumë.
Po kështu edhe në raste ngjarjesh do të jenë drejtuesit e mjeteve, do të mundohen të jenë më tepër të përgjegjshëm, qoftë në sjellje në drejtim të mjetit sepse e dinë që përveç të tjerash që do të dëmtohet mjeti i tyre, vitin e ardhshëm do të kenë pasoja në rritjen e primit, sepse ndryshe do t’i rritet primi njërit të përfshirë në një aksident gjatë një viti, ndërsa rritja do të jetë më e madhe nëse kryen 2 apo më shumë aksidente për një periudhë deri në dyvjeçare.
A ishte e vonuar Shqipëria në vendosjen e këtij sistemi?
Duhen disa parakushte. Sistemi informatik ka ecur. Tani është futur edhe teknologjia e AI. Ndoshta jemi pak të vonuar, por më mirë vonë se asnjëherë. Besoj që ky lloj sistemi do të vazhdojë të përmirësohet. Vetëm me një qëllim: të nxitet drejtimi i përgjegjshëm i mjetit. E dyta, të nxitet futja në treg e mjeteve që nuk dëmtojnë ambientin. Janë mjetet e vjetra dhe me fuqi motorike të madhe që e ndotin më shumë ambientin. Qëllimi është të demoralizohet drejtimi i papërgjegjshëm i mjetit, të demoralizohet përdorimi i mjeteve të vjetra dhe me fuqi motorike shumë të lartë, se fundja shpejtësitë janë të limituara…
Disa këshilla nga ju për ata që janë drejtues mjetesh? Ç’duhet të kenë parasysh gjatë javëve në vazhdim?
Si gjithmonë, nuk është asgjë e re, duhet të kenë parasysh të respektojnë rregullat e qarkullimit, sidomos në këto kohë të rënduara me reshje. Ata duhet të kenë dyfish kujdes. Po ashtu të mos kryejnë e të mos bëhen shkak për aksidente, pavarësisht nëse e ke ose jo fajin. Jo vetëm thjesht të dëmtojnë veten apo drejtuesin e mjetit tjetër, por në vitet e mëpasshme do t’u rritet primi dhe nuk mund t’i shpëtojnë. Ky sistem vetëm që do të përmirësohet në funksion të nxitjes së drejtimit të përgjegjshëm të mjetit dhe demoralizimit të drejtimit të mjetit në mënyrë të papërgjegjshme.
Kompanitë kanë rastin të tregojnë se janë transparente me publikun.
Raportimet e shitjeve, raportimet e dëmeve, gjithçka ka të bëjë me drejtimin e një mjeti raportohen në autoritetin e MF-së i cili krijon edhe mundësinë që secila kompani të konsultojë dëmet që ka sjellë një klient i caktuar, një mjet i caktuar, pavarësisht se te cila kompani ka qenë i siguruar.
Italianët kanë një shprehje të urtë: kush ecën ngadalë, mbërrin i sigurt. Do të ishte rasti për të ecur me kujdes në rrugët tona kombëtare dhe lokale, për të mos shënuar aksidente, për të mos rënë pre e një vlerësimi Bonus-Malus që mund të ishte jo në favor të tyre. Z. Cobaj, faleminderit që ishit pjesë e programit.




