Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), znj. Adela Xhemali, zhvilloi një takim me përfaqësues të projektit GIZ SANECA, kryesuar nga znj.Blerina Raca menaxhere e projektit, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit institucional dhe mbështetjes për zhvillimin e tregjeve financiare në Shqipëri.
Takimi u zhvillua në funksion të përmbushjes së angazhimeve që rrjedhin nga Kapitulli 9 i procesit të integrimit evropian i kryesuar nga AMF, me fokus harmonizimin e legjislacionit kombëtar me kuadrin rregullator të Bashkimit Evropian.
Bashkëpunimi përfshin mbështetje për procesin e përafrimit të legjislacionit me acquis të Bashkimit Evropian, vlerësimin e ndikimit të politikave rregullatore, si dhe forcimin e kapaciteteve institucionale të AMF.
Në takim u vlerësua bashkëpunimi i suksesshëm, si dhe asistenca e vlefshme e GIZ në hartimin e paketave ligjore.
Znj. Xhemali nënvizoi rëndësinë e krijimit të ligjeve dhe praktikave me standarde të larta të BE-së, si dhe përgatitjen e tregut për këto standarde sfiduese dhe implementimin e duhur të tyre.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e GIZ prezantuan angazhimet aktuale të projektit SANECA II me AMF, si dhe u diskutuan fushat prioritare të bashkëpunimit për periudhën 2026–2029. Vëmendje e veçantë iu kushtua progresit të arritur gjatë vitit të kaluar dhe angazhimeve të reja të planifikuara për vitin 2026 dhe në vijim.
Znj. Xhemali vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të GIZ në procesin e hartimit të paketave ligjore dhe rregullatore dhe theksoi rëndësinë e hartimit të një kuadri legjislativ, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian. Gjithashtu u theksua edhe nevoja e përgatitjes së tregjeve për përballimin e këtyre standardeve dhe zbatimi i tyre efektiv.
Në këtë kuadër, përfaqësuesit e GIZ riafirmuan angazhimin e tyre për të vijuar asistencën ndaj AMF-së në realizimin e objektivit të saj prioritar, për përfundimin e fazës së hartimit të paketës së plotë ligjore, në përputhje të plotë me acquis evropian.




