Dollari amerikan po qëndron në rënie në sesionin e sotëm, por kujdesi është i lartë pasi të dhënat pozitive mbi punësimin i kanë dhënë më shumë hapësira Rezervës Federale për të rritur sërish normat e interesit.
Në të njëjtën kohë, bastet se cikli i rritjes së interesave nga Banka Qendrore Amerikane mund të jetë drejt fundit, kanë mbështetur bitcoin në mbi 30 mijë dollarë, për herë të parë që nga qershori i vitit të kaluar. Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare po qëndron në rreth 102.3, duke u tërhequr nga niveli më i ulët në 2 muaj, prej 101.4.
Analistët vlerësojnë se ka 71% mundësi që Rezerva Federale të rrisë normën bazë të interesit edhe me 25 pikë përqindje në takimin e 3 majit, pasi të dhënat e publikuara në SHBA treguan se papunësia po qëndron pranë niveleve më të ulëta rekord.
Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin po tregtohet në nivelin më të lartë në 10 muajt e fundit, në mbi 30 mijë dollarë, ndërsa ethreum po tregtohet në rreth 1920 dollarë. Tregu i monedhave digjitale është mbështetur nga shenjat për ngadalësimin e ekonomisë globale.