Pas miratimit nga Banka e Shqipërisë, rregullorja për kreditë e sektorit imobiliar është publikuar e plotë në Fletoren Zyrtare.
Në dokument, BSH ka të drejtë të vendosë kufi në vlerë dhe në masë të kredive që jepen në këtë drejtim sipas të dhënave që mbledhin bankat tregtare dhe të ndalojë kredidhënien nëse ka shenja të riskut.
BSH ka të drejtë të përcaktojë nivele kufi në vlerat sasiore të treguesve dhe kërkesa të tjera cilësore, me qëllim shmangien e dobësive. Për një kredi, BSH mund të vendosë më shumë se një kufizim. Kufizimet do të jenë edhe për klientët edhe për bankat.
Në rregulloren e re përcaktohen dhe të gjitha situatat kur kredimarrja cilësohet me rrezik, ku vlerësohet si e tillë kredia e pambrojtur (klienti ka të ardhurat në lekë dhe kredinë e merr në valutë), kur kolaterali që është pronë ndodhet në juridiksion të huaj. Kur kredimarrësi kërkon një periudhë të pazakontë amortizimi etj.
Bankat tregtare do i bëjnë raportimet në raport vjetor, çdo fund shtatori, por mund t’i bëjnë edhe më shpesh, në rast se banka qendrore ia kërkon këtë.
Rregullorja “Për raportimin e të dhënave, identifikimin dhe monitorimin e treguesve mbi kredidhënien dhe investimet për prona të paluajtshme” ka për qëllim monitorimin e këtij tregu duke vlerësuar rreziqet sipas tipareve të kredive dhe kredimarrësve.
Në një komunikim me Gazetasi.al, kreu i departamentit për Stabilitetin Financiar në BSH, Klodion Shehu tha se rregullorja është një domosdoshmëri për një treg që po zhvillohet shpejt dhe për t’i paraprirë rreziqeve që ajo mund të sjellë.
Rregullorja e kredive (E PLOTË)