Rrezatimi i fortë diellor gjatë këtij sezoni veror po shkakton probleme të forta edhe në lëkurë, aq sa rastet që po i drejtohen spitalit për ndihmë janë rritur këto javë.
Mjekët e QSUT-së thonë se më prezente janë djegiet dhe alergjitë nga dielli, të cilat jo rrallë shkaktojnë panik tek pacientët.
“Djegiet nga dielli mund të jenë në një fazë primare në trajtën e një skuqjeje, enjtjeje, e shoqëruar me nxehtësi lokale, ose të kalojë në stade të avancuara që ngjajnë me një djegie të shkallës së parë ose të shkallës së dytë. Këto djegie shpeshherë shoqërohen me një alterim të situatës së përgjithshme: me dehidratim dhe me temperaturë. Shohim shumë raste me elemente alergjike nga rrezatimi diellor, që shfaqen në formën e elementeve urtikariale, që janë pllaka të skuqura, të enjtura, të lokalizuara në fytyrë, në pjesën e gjoksit, në pjesën e dekoltesë, në pjesën e parakrahëve dhe duhen patjetër të trajtohen në kushte spitalore“, thotë për RTSH dermatologia Migena Vargu.
Sipas mjekes, shkak shpesh bëhet dëshira për nxirje të menjëhershme.
“Në rastet që na vijnë janë ekspozime një- apo dyditore, të pakujdesshme, në oraret e pikut të rrezatimit ultravjollcë, që shkaktojnë dëmtime deri në nivelin qelizor të ADN-së së lëkurës”.
Ajo këshillon që për fillestarët, ekspozimet në diell të jenë minimale.
“Individët që e kanë për herë të parë ekspozimin asnjëherë nuk duhen të ekspozohen në diell në ditët e para më shumë se 10 minuta deri një çerek ore, por në orët e mëngjesit dhe më pas në orët e pasdites”.
Dëme komplekse kanë pasur edhe personat me sëmundjen autoimune të lupusit eritematoz, të cilët sipas mjekëve nuk duhet të ekspozohen fare në diell.
LEXO EDHE: Shqiptarët po preferojnë më shumë Kartat “SIGAL” për të marrë shërbime në spitalet më të mira