Pandemia e Covid-19 mori më shumë se 20 milionë jetë, shkaktoi një dëm financiar prej 16 trilionë dollarësh, mbajti 1.6 bilion fëmijë jashtë bankave të shkollës dhe çoi 130 milionë njerëz në mbarë globin drejt varfërisë.
Por nuk mbaron me kaq!
Studime të kryera deri në Tetor 2024 tregojnë se të paktën 1 mijë njerëz humbën jetën prej këtij virusi çdo javë, 75% e tyre në Shtetet e Bashkuara.
Muajin e shkuar, Organizata Botërore e Shëndetësisë zhvilloi një takim 4-ditor ku në fokus ishte kjo pandemi. Në konferencën e OBSH-së u mblodhën 140 studies e ekspertë shëndetësorë nga 17 vende të botës për të diskutuar qoftë për origjinën e pandemisë, mutacionet e Covid-19, trajtimet e reja dhe vaksinat.
“Një nga arsyet e mëdha që donim ta mbanim këtë konferencë është sepse nuk u takuam dot fizikisht gjatë pandemisë,” është shprehur virologu Kei Sato i Universitetit të Tokios.
Në konferencë ishin prezentë edhe shkencëtarë nga Kina. Imunologu Yunlong Cao i Universitetit të Pekinit, vuri në dukje se “shpejtësia e jashtëzakonshme evolucionare virale” e SARS-CoV-2 tregon jo vetëm se variantet e reja shkaktojnë vazhdimisht infeksione, por se vaksinat mund ta humbasin shpejt efektivitetin.
Cao tha po ashtu se vetëm 2 nga 140 antitrupat që laboratori i tij identifikoi në fillim të vitit 2020 si të aftë për të neutralizuar variantin e parë të SARS-CoV-2, ishin “mburojë cilësore” ndaj virusit 2 vite më vonë. Cao bashkë me studiues të tjerë ka identifikuar një antitrup kohëve të fundit që quhet SA55, që parashikohet të funksionojë kundër çdo varianti të koronavirusit. Edhe “Sinovac Biotech” që është një prej kompanive farmaceutike më të mëdha në Kinës e ka testuar këtë antitrup dhe e sheh atë si një “parandalues” shumë të mirë.
I frikshëm është fakti se në ditët e sotme thuajse askush nuk flet më për Covid, duket sikur njerëzit e kanë harruar shumë shpejt. Megjithatë, 5 vite pas koronavirusit që “lindi” në Wuhan të Kinës, shkencëtarët ende përpiqen të gjejnë shkakun e përhapjes masive të tij. Pavarësisht se janë dhënë një sërë këshillash që ndihmojnë në mosekspozimin ndaj këtij virusi, epidemiologët shprehen se “bota e ka bërë një sy qorr ndaj mësimeve që na ka dhënë pandemia”.
Prandaj po punohet intensivisht për gjetjen e formave më të sofistikuara që ‘luftojnë’ viruse të tilla, para se ato të marrin trajtë globale. Parashikimi i saktë se si viruset do të evoluojnë mund të lejojë gjithashtu prodhuesit e vaksinave që të krijojnë produkte më të qëndrueshme. Thuhet se Inteligjenca Artificiale do ndihmojë në përcaktimin e një vaksine që do i japë fund “ankthit” për pandemi të tilla në të ardhmen.
Sidoqoftë, mbetet sfidë përcaktimi i antitrupave që janë të aftë të veprojnë kundër këtij virusi, i cili ende nuk është zhdukur…