15.5 C
Tirana
Friday, November 22, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetÇmimet vijojnë rritjen, inflacioni shënon nivelin më të lartë

Çmimet vijojnë rritjen, inflacioni shënon nivelin më të lartë

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se indeksi i çmimeve bazë të konsumit vijoi rritjen me bazë mujore, por me ritme më të ngadalësuara krahasuar me dy muajt e mëparshëm.

Indeksi u rrit me 0.21% krahasuar me janarin, ndërsa me bazë vjetore rritja qëndroi në nivelin 8.74%, po aq sa muajin e mëparshëm.

Inflacioni bazë vlerësohet si komponenti më i qëndrueshëm i inflacionit, sepse përjashton çmimet e produkteve energjetike dhe shumicën e produkteve ushqimore, që për nga natyra e tyre kanë luhatshmëri më të lartë. Në muajit e fundit, inflacioni në ekonomi ka pësuar rënie dhe shënoi nivelin 7.1% për shkurtin.

Por, kjo rënie është përcaktuar kryesisht nga ulja e çmimeve të karburanteve. Duke pasur parasysh se këto të fundit janë të lidhura pothuajse plotësisht me zhvillimet në tregjet ndërkombëtare dhe në ekonominë botërore, kjo rënie nuk reflekton tendencat inflacioniste në ekonominë e brendshme, për të cilat vlerësohet se inflacioni bazë është një tregues më i besueshëm.

Nivelet e larta të inflacionit bazë reflektojnë jo vetëm efektin e rritjes së çmimeve të lëndëve të para mbi kostot e prodhimit të bizneseve, por edhe presionet në rritje nga tregu i punës. Këto të fundit përfaqësojnë ndoshta edhe elementin më shqetësues të inflacionit të lartë.

Për tremujorin e fundit 2022 shkalla e papunësisë rezultoi 10.6%, në rrtije të lehtë nga tremujori III, por ende pranë niveleve minimale historike.

Paga mesatare bruto në ekonomi për tremujorin IV 2022 arriti në më shumë se 66 mijë lekë, në rritje me 10.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vështirësitë për të gjetur forcë pune të mjaftueshme po nxisin rritjen e pagave në shumicëne sektorëve të ekonomisë.

Gjithashtu, rritja e radhës e pagës minimale ligjore nga qeveria, duke e çuar atë në nivelin e 40 mijë lekëve, pritet të nxisë rritje të mëtejshme të pagës mesatare në ekonomi për këtë vit.

Rritja e pagave i ndihmon konsumatorët të amortizojnë pjesërisht rënien e fuqisë blerëse nga inflacioni i lartë, por nga ana tjetër ndikimi pozitiv i rritjes së pagave mbi kërkesën e brendshme e bën më të vështirë uljen e inflacionit.

Ecuria e inflacionit bazë dhe zhvillimet në tregun e punës duket se i rrisin gjasat për rifillimin e serisë së rritjeve të normës bazë të interesit. Mbledhja e ardhshme e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë do të zhvillohet më datë 23 mars.

Banka qendrore e rriti normën bazë për herë të fundit në muajin nëntor 2022, duke e çuar në nivelin 2.75%. Por, në komunikimet e veta publike Këshilli Mbikëqyrës ka nënvizuar vazhdimisht se një rritje e mëtejshme e normave të interesit është e domosodshme për të ulur inflacionin.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat