Propozimi për rritjen e çmimeve të referencës në rrethe pritet të ndikojë edhe taksën e ndërtesës për apartamentet e ndërtuara para viteve ’90 dhe të privatizuara me ligjin e vitit 1992.
Taksa për ndërtesat e banimit është 0.05% e vlerës së apartamentit, e cila llogaritet mbi bazën e çmimeve të referencës sipas metodologjisë së miratuar.
Për apartamentet e privatizuara, çmimi i referencës llogaritet me 70% vetëm në rastin e shitjes së parë, ndërsa më pas përdoren vlerat e plota.
Në Korçë, një apartament 70 m² i ndërtuar para viteve ’90, që aktualisht paguan 1,118 lekë në vit, me çmimet e reja të referencës do të paguajë 1,715 lekë në vit, duke pësuar një rritje prej 44.3%.
Në Vlorë, për një apartament të njëjtë, detyrimi do të kalojë nga 1,514 lekë në vit në 2,401 lekë, me një rritje prej 58.5%.
Ndërkohë, qytetet do të ndahen në zona kadastrale të reja, ku çmimet e referencës ndryshojnë sipas zonës, duke reflektuar kështu diferenca edhe në nivelin e taksës.
Rritja më e madhe pritet të ndodhë në Durrës, ku çmimi i referencës do të shkojë deri në 200 mijë lekë për metër katror në zonën e portit, krahasuar me 67,5 mijë lekë aktualisht.
Një apartament 70 m² që sot paguan 1,653 lekë në vit, do të arrijë deri në 4,900 lekë në vit, duke pësuar një rritje prej 196%.
Megjithatë, disa kategori si banesat sociale, ndërtesat e komuniteteve fetare, familjet me pensionistë të vetëm apo me ndihmë ekonomike, mbeten të përjashtuara nga kjo taksë sipas ligjit në fuqi.