Socialistët kanë rikthyer pas dy vjetësh rivlerësimin e pronave.
Nisma është depozituar në formën e një projektligji në Kuvend nga deputetja socialiste Blerina Gjylameti dhe pritet që të shqyrtohet në komisionet parlamentare.
Por çfarë parashikon drafti?
Nga momenti që miratohet, rivlerësimi do të jetë i vlefshëm deri më 31 qershor të vitit 2025. Tatimi që do të paguhet, parashikohet në 3% nga 15% që është aktualisht.
Mund të rivlerësohen të gjitha pronat, përfshi ato në proces legalizimi dhe ajo që synohet, është formalizimi i tregut të pasurive të patundshme.
Le ta shohim këtë nismë të përkthyer në një rast konkret.
Një apartament i blerë disa vite më parë me çmim 7 milionë lekë, kushton sot me vlerën e tregut 11 milionë lekë. Pra, 4 milionë lekë më shumë.
Për ti bërë rivlerësimin, pronari duhet të paguajë sot 15% të kësaj diference, që përllogaritet në 600 mijë lekë. Me tatimin 3% që propozohet të bëhet rivlerësimi, kosto që ky qytetar do të paguajë është 120 mijë lekë ose 480 mijë lekë më pak.
Por i gjithë procesi ka ndikim edhe tek taksa e pronës, e cila paguhet çdo muaj tek fatura e ujit. Taksa paguhet mbi vlerën e apartamentit dhe rivlerësimi çon në rritje të vlerës së pronës dhe rrjedhimisht, edhe taksës. Le ta shohim të konkretizuar në një shembull.
Kemi një apartament që kushton 10 milionë lekë. Taksa që paguajmë sot për këtë pronë është 0.5% e vlerës së saj ose 50 mijë lekë në vit, që përllogaritet 4.166 lekë në muaj.
Pas rivlerësimit, ky apartament do të kushtojë rreth 15 milionë lekë. Taksa do të jetë 0.5% e kësaj vlere ose 75 mijë lekë në vit, e përllogaritur në 6.250 lekë në muaj. Pra, pas rivlerësimit taksa e kësaj prone u rrit me mbi 2 mijë lekë çdo muaj ose mbi 25 mijë lekë në vit.
Rivlerësimi që propozohet është një nismë e ndërmarrë disa herë në të kaluarën.
Në 13 vitet e fundit janë bërë 5 rivlerësime pronash dhe të gjitha kanë ndodhur përpara zgjedhjeve vendore ose të përgjithshme parlamentare, me tarifa që kanë variuar nga 1% në vitin 2011 në 3% dy rivlerësimet e fundit. Nisma propozohet sërish përpara zgjedhjeve të përgjithshme, të parashikuara për vitin e ardhshëm.
Por a kanë përfituar qytetarët nga këto rivlerësime? Le të shohim çfarë ka ndodhur me nismën e fundit.
Rivlerësimi u bë nga janari i vitit 2020 deri në gusht të vitit 2022, me tatim 3%. U rivlerësuan mbi 162 mijë prona, teksa qeveria përfitoi 12.7 miliardë lekë të ardhura nga i gjithë procesi.
LEXO EDHE: Pse Sigurimi i Shtëpisë në SIGAL UNIQA?