Shtrenjtimi i akomodimit në vend ka nxitur shumë shqiptarë, që dikur i kalonin pushimet në Jug të kërkojnë për alternativa të tjera jashtë vendit në destinacione si Greqia, Turqia, apo dhe Mali i Zi, duke shfrytëzuar ofertat ekonomike dhe shërbimet gjithëpërfshirëse.
Më parë, çmimet më të lira ishin një arsye për të pushuar brenda vendit, por me shtrenjtimin e viteve të fundit, sidomos në jug si për akomodimin ashtu dhe ushqimin, nuk ka më ndonjë dallim në kosto.
Të kontaktuara nga “Monitor”, agjencitë turistike pohojnë se prenotimet për Turqi dhe Greqi kanë qenë në nivelet më të larta historike këtë vit, pavarësisht se dhe ato kanë parë rritje të çmimeve të paketave me 10-15% në vit.
Pavarësisht rritjes së çmimeve për paketat turistike, Turqia dhe Greqia vazhdojnë të jenë destinacionet kryesore të preferuara dhe më të shiturat në numër.
Kjo tendencë është ndikuar nga kursi i lirë i euros, që ka amortizuar rritjen e çmimeve. Euro këmbehet aktualisht me rreth 100 lekë, nga rreth 110 lekë një vit më parë, ose 9% më lirë.
Nga “Ilirida Travel” pohojnë se këtë vit janë shitur më shumë paketa familjare për në Turqi, krahasimisht me vitet e tjera. Ata bëjnë të ditur se çmimet fillojnë me 700-800 euro/person dhe arrijnë deri në 1800 euro në disa resorte më luksoze për disa ditë qëndrimi.
Drejtuesit e agjencisë “Union Travel” thonë se destinacionet më të pëlqyera në Greqi janë: Korfuzi, Halkidhikia dhe Parga. Afërsia dhe mundësia e arritjes së këtij destinacioni edhe me automjete private e bëjnë më të vizituar dhe të prekshëm nga një pjesë e mirë e shqiptarëve që zgjedhin të pushojnë jashtë.
Ofertat për këtë destinacion janë për hotelet me katër e pesë yje, për 5 apo 10 ditë qëndrim.
Alternativë tjetër janë pushime në Korfuz, duke filluar nga 400 euro/person në hotele me 4 yje; në Halkidiki, duke filluar nga 450 euro/person, sipas “Union Travel”, të cilat janë destinacione të pëlqyera ndër vite.
Sipas agjencive turistike, edhe në këto vende ka pasur shtrenjtim të lehtë të çmimeve, që arrijnë deri 20% më shumë se një vit më parë, por këtë vit ka pasur më shumë prenotime të hershme që datojnë që në janar të 2024.
Operatorët turistikë pohojnë se ka gjithnjë zgjedhje ekonomike për ata që nuk u volit një pushim i shtrenjtë, me alternativa rajonale ose resorte me më pak yje, por “half board”, pa të gjitha vaktet e përfshira, duke rezultuar me çmim më të lirë.
Më të parapëlqyerat vijojnë të mbeten ato pushime që mund t’i quajmë “me duar në xhepa”, sidomos për familjet me fëmijë.
Shqiptarëve, edhe këtë vit, po u pëlqejnë pushimet gjithëpërfshirëse, sidomos nëse do të udhëtojnë me familjen. Dhe kërkesat janë më shumë të orientuara drejt Turqisë, sidomos në muajin qershor, që ka çmime më të volitshme, sipas të dhënave të agjencisë “Ilirida Travel”.
Sipas “Zenith Travel”, këtë vit është vënë re një rritje e lehtë të çmimeve, e reflektuar për të gjithë destinacionet, jo vetëm Turqinë dhe resortet “me të gjitha të përfshira” nisin me 750 euro për person.
Në Turqi, tre janë destinacionet që kërkohen për shkak të ofertave të shumta: Antalia, Bodrum dhe Alania.
Përfaqësues të “Kalemi Travel” thonë se këtë vit janë shtuar ofertat e pushimit edhe në resorte me 4000 euro/person, të cilat kanë pasur më parë “target grup” rusët.
Sipas komunikimeve të bëra nga Monitor me disa agjenci në kryeqytet, shqiptarët në Turqi parapëlqejnë të rezervojnë në resorte me katër e pesë yje dhe me shërbime all apo edhe “ultra all inclusive”.
Antalia është destinacioni kryesor, ndjekur nga Kemeri, Bodrumi e Alania. Koha e qëndrimit llogaritet mesatarisht 6 net. Për një javë një familje me 2 fëmijë shpenzon minimalisht 2400 euro, deri në 3900 euro.
“Për rezervimet e kësaj periudhe, ndryshe nga vite më parë, qershori ka pasur rritje të lehtë të çmimeve. Një paketë për qëndrim në hotel me pesë yje, për 7 ditë, është ofruar me çmim 800 euro/person, në një kohë kur dy vite më parë, në të njëjtën periudhë, kjo shifër ishte rreh 500 euro/person”, thonë drejtuesit e agjencisë ATHS.
Kërkesa për të udhëtuar në Mal të Zi është gjithashtu e lartë për shqiptarët gjatë sezonit veror.
Mali i Zi është një vend i bukur me bregdetin e tij të mrekullueshëm në Detin Adriatik dhe peisazhet malore. Edhe fqinjët tanë kanë reflektuar një rritje çmimi të paketave aktuale, sipas agjencive turistike me rreth 15%.
LEXO EDHE: Sigurimi “Shëndet në Udhëtim”, siguria e pushimeve të qeta