1.5 C
Tirana
Sunday, November 24, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetCilat janë vendet më të mbrojtura nga Omicron?

Cilat janë vendet më të mbrojtura nga Omicron?

Dozat përforcuese, ose kombinimi i infektimit dhe vaksinimit, janë të domosdoshme kundër variantit të ri.

Për pjesën më të madhe të vitit 2021, personat që kishin përfunduar ciklin (zakonisht me dy doza) të vaksinimit kundër Covid-19, u konsideruan të mbrojtur nga kjo sëmundje. Njerëzit që e kishin kaluar më parë infektimin mendohej gjithashtu se ishin mjaft të sigurt. Por, duke iu shmangur imunitetit të mëparshëm, Omicron, varianti më i ri, i ka ndryshuar të gjitha llogaritë. Kjo do të thotë se nevojitet një rivlerësim për të kuptuar se sa vulnerabël mund të jetë secili nga vendet ndaj variantit të ri.

Omicron përmban një seri mutacionesh që ndryshojnë edhe mënyrën e përhapjes së tij, edhe simptomat që ai shkakton. Provat paraprake tregojnë se infektimet nga ky variant mund të shkaktojnë më pak raste të rënda që kanë nevojë për shtrim në spital. Por, mutacionet që ai përmban rrisin transmetueshmërinë e tij. Dhe, megjithëse mund të jetë më pak i rëndë nga simptomat që shkakton, një numër tepër i lartë i rasteve mund të ҫojë gjithashtu në mbushjen e spitaleve. Omicron është më i mirë se variantet e tjera kur bëhet fjalë për t’iu shmangur antitrupave të prodhuara nga infeksioni i mëparshëm me Covid ose nga vaksinimi kundër tij. Studimet nga Britania dhe Afrika e Jugut kanë treguar se kjo shmangie përkthehet në një rrezikshmëri infektimi tre deri në tetë herë më të lartë sesa varianti i mëparshëm Delta. Të dhënat nga Britania tregojnë se niveli i mbrojtjes kundër simptomave të infeksionit pas dy dozave të vaksinave AstraZeneca-Oxford ose Pfizer-BioNTech, ndër më të mirat kundër Delta, bie ndjeshëm kur vihet përballë variantit Omicron.

Por, ka edhe disa lajme të mira. Megjithëse ka një rënie të madhe në mbrojtjen e ofruar, rezultatet nga Afrika e Jugut tregojnë se infektimi i mëparshëm me Covid ul me rreth dy të tretat rrezikun e infektimit me Omicron. Për më tepër, efektiviteti i vaksinës kundër simptomave të infeksionit shkon në nivelin 75% kur aplikohet doza përforcuese. Ekzistojnë gjithashtu disa prova që tregojnë një mbrojtje të mirë për njerëzit që janë vaksinuar me dy doza dhe janë infektuar një herë më parë, megjithëse imuniteti zbehet me kalimin e kohës.

Si rrjedhojë e këtyre ndryshimeve në përkufizimin e asaj që konsiderohet si mbrojtje e mirë, lind nevoja për mënyra të reja për të vlerësuar se cilat vende janë më të mbrojturat nga vala e ardhshme e infeksioneve. Vendet që janë të mbrojtura në një nivel të mirë nga varianti Delta janë ato që kanë një numër të lartë të njerëzve që ose janë vaksinuar me dy doza, ose e kanë kaluar infektimin më parë. Vendet që me shumë mundësi kanë mbrojtjen më të mirë ndaj Omicron janë ato që kanë aplikuar shumë doza përforcuese, ose kanë një numër të lartë të njerëzve që edhe janë vaksinuar me dy doza, edhe kanë qenë të infektuar më parë.

The Economist vlerësoi përqindjen e popullsisë që mund të ketë këto nivele të ndryshme të mbrojtjes për 102 vende. Duke përdorur të dhëna për numrin e mundshëm të infektimeve në një vend dhe numrin e personave që janë vaksinuar, është llogaritur probabiliteti që një person i caktuar të jetë infektuar, vaksinuar ose t’i ketë kaluar të dyja këto faza. Për thjeshtësi, është supozuar se vendimi i një personi për t’u vaksinuar ose jo nuk lidhet me faktin nëse ai është infektuar.

Vendet e Amerikës së Jugut që kanë nivele të larta të infektimeve të mëparshme dhe shifra të mira të vaksinimit, duken më të përgatitura për variantin e ri. Kili dhe Uruguai gjithashtu kanë disa programet që janë ndër më të avancuarat për dozat përforcuese, pjesërisht për shkak se ato filluan me aplikimin e tyre më herët se shumica e vendeve pas raportimeve se vaksina kineze Sinovac, e aplikuar ndaj shumë prej qytetarëve të tyre, kishte efikasitet më të ulët. Në shumicën e vendeve ka të ngjarë që më pak se gjysma e popullsisë të ketë mbrojtje të përshtatshme kundër Omicron. Në Britani dhe Amerikë u vlerësua se, në fund të nëntorit, përkatësisht rreth 49% dhe 43% e qytetarëve kishin marrë një dozë përforcuese, ose ishin vaksinuar dy herë dhe infektuar nga virusi. Vende si Australia, Kina, Zelanda e Re dhe Norvegjia, me programe të forta vaksinimi, por me pak infektime të mëparshme dhe me një shpërndarje të ngadaltë të dozave përforcuesve, janë veçanërisht të rrezikuara nga varianti i ri./ The Economist

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat