8.5 C
Tirana
Thursday, November 21, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetÇfarë sollën reformat e pensioneve ndër vite? Beteja disavjeçare për “shërimin” e...

Çfarë sollën reformat e pensioneve ndër vite? Beteja disavjeçare për “shërimin” e skemës

Sistemi i Sigurimeve Shoqërore në Shqipëri ka një histori të gjatë.

Edhe pse më parë ka pasur shoqëri të huaja, të cilat zhvilluan në mënyrë vullnetare skema të sigurimeve shoqërore për aksidentet në punë, kryesisht për punëtorët e minierave, Institucioni Publik i Sigurimeve Shoqërore në Shqipëri i ka fillesat e veta që në vitin e largët 1927.

Ky vit daton edhe me aktin e parë ligjor në fushën e veprimtarive të sigurimeve shoqërore, Ligji Nr. 129, datë 28 tetor 1927, “Për pensionet civile”, botuar në fletoren zyrtare Nr. 91, të datës 8 nëntor 1927.

Me ndihmën e këtij akti ligjor u vendosën themelet e një sistemi të konsoliduar të sigurimeve shoqërore, i cili përfshinte mbrojtjen për punonjësit civilë të administratës së atëhershme dhe njihte të drejtën e pensionit për të gjithë punonjësit civilë pas datës 28 nëntor 1912, pra që me njohjen e shtetit të pavarur shqiptar.

Në vendin tonë, ashtu si edhe në shumë vende të tjera, pensionet përbëjnë historikisht një nga instrumentet më të njohura për mbështetjen e individëve.

Forma e parë e pensioneve ka qenë një lloj shpërblimi periodik për veteranët e luftës, një formë shumë e njohur edhe në vende të tjera të Europës, por jo vetëm. Edhe në ditët e sotme pensionet e ushtarakëve mbeten një formë e mbrojtjes shoqërore.

Forma e dytë e pensioneve ishte për nëpunësit civilë të shtetit, të cilat jepen në rast pleqërie/invaliditeti, si nderim për shërbimin që ata i kanë dhënë shtetit dhe shoqërisë.

Vendosja e një sistemi më të plot të sigurimeve shoqërore përkon me Gushtin e vitit 1947.

Pas Luftës së Dytë Botërore, shteti Shqiptar mori në mbrojtjte familjet dhe të afërmit e dëshmorëve, invalidët e Luftës, si dhe punonjësit e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Me miratimin e Ligjit Nr. 528, datë 26.08.1947 “Mbi sigurimet shoqërore të nëpunësve dhe funksionarëve”, u vendos një skemë e përgjithshme e Sigurimeve Shoqërore. Ky sistem u plotësua dhe konsolidua më tej në vitin 1966, me miratimin dhe fillimin e zbatimit të Ligjit nr. 4171, dat 13.09.1966 “Për sigurimet shoqërore shtetërore në RPSSH.

Sipas të dhënave zyrtare nga “Instituti i Sigurimeve Shoqërore”, sistemi i sigurimeve në atë kohë, i përshtatur me sistemin poplitik socialist, nuk siguronte mbrojtje të plotë sociale. Ai parashikonte mosha të ulëta të daljes në pension dhe trajtim të diferencuar për kategori të caktuara personash.

Ndërkohë, me synimin e kufizimit të kostove ekonomike, përgjatë periudhës 1947-1992, sistemi i sigurimeve shoqërore u zhvillua i ndarë në dy skema: një për të punësuarit e sektorit shtetëror dhe tjetra për anëtarët e kooperativave bujqësore, të cilat dalloheshin esencialisht nga njëra-tjetra në disa drejtime, por kryesisht nga madhësia e përfitimeve për pjesëmarrësit e tyre.

Skema e sigurimeve për anëtarët e kooperativave bujqësore ofronte përfitime mjaft të ulëta, që nuk i kalonin 60% të të ardhurave mujore minimale që ofronte skema e sigurimeve shtetërore.

Transformimet e thella politike, ndryshimet ekonomike të shoqëruara me ndryshime në strukturën sociale që pasuan në vitet ’90, imponuan një reformë rrënjësore të sistemit të sigurimeve shoqërore, e cila synonte nga njëra anë ndalimin e degradimit të mëtejshëm të skemës së pensioneve dhe nga ana tjetër zgjedhjen e një sistemi eficient, që do të përballonte jo vetëm problemet emergjente të periudhës dhe kostot e mbartura, por dhe do t’i rezistonte kohës.

Por cilët ishin faktorët kryesorë që çuan në ndërmrrjen e një reforme? 

Së pari papunësia masive në vitin 1991 solli varfërim në skemës së pesnioneve. Numri i përfituesve jo vetëm që po rritej me ritme më të shpejta sesa kontribuesit, por edhe numri i kontribuesve po vinte në rënie drastike.

Për shembull, sipas disa të dhënave, në vitin 1990 ritmi vjetor i rritjes së numrit të pensionistëve ishte 7.8%, ky ritëm vjetor në vitin 1992 u dyfishua në 16.3%, si në zonat urbane ashtu edhe në ato rurale, duke e çuar numrin e pensionistëve nga 9.8% në vitin 1990 në një peshë prej 13.4% të popullsisë.

Pra, kemi të bëjmë me një prishje të bilancit mes pensionistëve dhe kontribuesve. Një fenomen tjetër me pasoja të konsiderueshme negative në Sistemin e Sigurimeve Shoqërore ishte shfaqja e ekonomisë informale.

Me pak fjalë kemi të bëjmë me të njejtat probleme me të cilat përballet edhe skema aktuale e pensioneve.

Për këtë arsye, me 11 Maj 1993, Parlamenti aprovoi Ligjin Nr. 7703 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i cili hyri në fuqi në Tetor të atij viti. Reformimi i skemës të vjetër të sigurimeve shoqërore realizohet duke vendosur një sistem të ri, në themel të të cilit janë parimet e drejtësisë sociale.

Por çfarë parashikonte sistemi i pensioneve pas miratimit të Ligjit Nr.7703?

Ky ligj krijoi një sistem të detyrueshëm, publik dhe me mbulim universal të sigurimeve shoqërore. Sipas ISSH, sistemi i ndërtuar në vitin 1993, në tërësi, iu është përgjigjur nevojave më të ngutshme të mbrojtjes sociale për ato kategori popullsie që mbulon, por me ndryshimet që ka diktuar koha, ai i është nënshtruar reformave dhe përmirësimeve.

Megjithatë, theksojmë se harkun kohor 1993-2005, për shkak të nevojës së reduktimit të probleme që kishte reforma, janë ndërmarrë një sërë ndryshimesh.

Në vitet 2004–2005 u konstatuan një sërë problemesh në skemën e pensioneve. Duhej unifikuar ligji sipas standarteve ndërkombëtare, si dhe duhej saktësuar në ligj llogaritja e bazës së vlerësuar. Po ashtu, nevojitej reduktimi i mëtejshëm i normës së kontributit e cila vazhdonte të mbetej e lartë.

Në reformën e vitit 2005, u realizua reduktimi me 9 pikë i masës së kontributit, duke e çuar atë nga 38.5% në 29.5 % të pagës dhe marrja e nje varg masash në funksion të balancimit financiar të sistemit dhe rritjes së performancës së mbledhjes së kontributeve.

Ndryshimet e forta demografike që pësoi Shqipëria pas viteve ’90, me valët e emigracionit dhe me  rënien e lindshmërisë krijuan gradualisht një zhbalancim të skemës.

Skema e pensioneve parashikon një raport optimal 4 kontribues për 1 përfitues. Por largimet masive, rënia e lindshmërisë dhe rritja e jetëgjatësisë në Shqipëri krijuan një zhbalancim të madh në skemë, ku raporti ra gradualisht në 1.17 kontribues për 1 përfitues. E balancën në këtë raport të zhdrejtë, e vendos buxheti i shtetit të cilit nga viti në vit i duhet që të plotësojë kontributet e munguara në skemë.

Reforma e radhës erdhi në vitin 2014-të, ku vërehen një sërë ndryshimesh në parametrat e sistemit të ligjit 7703, në kuadër të përmirësimit të këtyre parametrave. Reforma kishte si synim forcimin e parimit kontributiv, krijimin e një sistemi të drejtë, përmirësimin konceptual të skemës dhe përmirësimin e procedurave dhe praktikave të mbledhjes së kontributeve dhe të mbledhjes së borxheve.

Një prej lëvizjeve më të forta të kësaj reforme ishte mosha e daljes në pension. Nga ata tjetër, u fuqizua edhe shtylla e pensioneve private.

Megjithatë, reforma e bërë në vitin 2014-të duket se e ka mbyllur ciklin e saj dhe nuk ka adresuar siç duhet problematikat. Shkaku i dobësimit të skemës është jo vetëm mos balancimi i të ardhurave dhe shpenzimeve për pensionet, por edhe informaliteti ndër vite. Kjo kosntatohet edhe nga fakti se veprimet e viteve të fundit për detyrimin e biznesve për deklarimin e pagës reale, kanë prodhuar një shtim të zërit buxhetor të sigurimeve shoqërore.

Krahas kësaj, raporti kontribues-përfitues është zhbalancuar dhe zhvillimet demografike të bëra të ditura na Censi paralajmërojnë për një zhbalancim të mëtejshëm. Ky problem bëhet akoma më i dukshëm sidomos me pensionet rurale. Nga të dhënat e ISSH evidentohet se hendeku më i lartë mes kontribuesve dhe përfituese regjistrohet në pensionet e fshatit.

Kur kanë kaluar 10 vite, skema e pensioneve paraqet të njëjtat sfida, pavarësisht se rritja e vazhdueshme e pagës minimale dhe e pagës mesatare ka prodhuar një rritje të të ardhurave nga kontributet shoqërore.

Pavarësisht përmirësimit që ka sjellë kjo reformë, shifrat e reja demografike dhe mospërputhja e nivelit të pensioneve me realitetin ekonomik të vendit, kanë prodhuar nevojën e një reforme të re. /SCAN

LEXO EDHE: “Pensionet Private, Pensionet e së Ardhmes“

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat