Pikat e shitjes me pakicë janë njoftuar nga kompanitë e përpunimit të qumështit se duke nisur nga 15 shkurti furnizimet e reja të bulmetit për qytetarët shqiptarë do të kenë çmime deri në 37% më të larta.
Ndërsa, që nga muaji Mars 2022 konsumatorët janë përballur me rritje të vazhdueshme të qumështit dhe nënprodukteve të tij, me argumentin e mungesës së prodhimit dhe të rritjes së kostove.
Por çfarë po e shkakton këtë kolaps në tregun e bulmetit?
Sipas të dhënave të INSTAT , numri i krerëve të bagëtive që nga vitit 2014 deri në vitin 2021, ka rënë ndjeshëm, për gjedhët me 32.6%, për delet me 21.3%, për dhitë me 13.8%.
Po ashtu prodhimi i mishit regjistrohet në nivelin më të ulët në 2021-shin, në afro 148 mijë tonë, ndërsa prodhimi i qumështit në 1 milionë tonë, shifra më e ulët në një dekadë. Ndërkohë pavarësisht se shifrat e detajuara të sektorit i përkasin 2021-shit, sipas të dhënave të dhënave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, përgjatë vitit 2022 prodhimi i mishit dhe qumështit ra me 5 dhe 3 për qind, çka reflekton edhe vijueshmërinë e rënies së mbarështimit të bagëtive.
Megjithatë në reagim të deklaratës së përpunuesve të qumështit, Autoriteti Konkurrencës informon se ka nisur monitorimet në terren. “Duke ndarë të njëjtin shqetësim për rritjen e çmimit të produkteve të bulmetit nga ndërmarrjet në fjalë, Autoriteti po monitoron në terren me qëllim evidentimin nëse ky njoftim do të zbatohet në tregun e shitjes me pakicë dhe, mbi të gjitha, nëse kjo sjellje është abuzive e si rrjedhim në shkelje të ligjit nr.9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” shkruhet në njoftimin e Autoritetit.
Ligji “Për mbrojtjen e konkurrencës” ndalon të gjitha marrëveshjet të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që caktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë çmimet e blerjes ose të shitjes, kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit apo vendosin kushte tregtimi.
“Sjellim në vëmendje të ndërmarrjeve të përpunimit të qumështit se, shkelja e ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës” përbën kundërvajtje administrative dhe sanksionohet me gjobë, në masën deri në 10 për qind të xhiros së vitit financiar paraardhës të ndërmarrjeve të përfshira në marrëveshje të paligjshme” paralajmëron Autoriteti i Konkurrencës.