Kostoja e tyre mjaft e ulët krahasuar me rrezikun që marrin përsipër.
Nga Avni Ponari*
Është folur shumë për aksidente dhe ngjarje të ndodhura në një ekonomi veçanërisht në sektorin e ndërtimit, që po zhvillohet me ritme shumë të shpejta.
Ajo që po ndërtohet sot në të gjithë Shqipërinë është me të vërtetë gjigande, me investime që mund të jenë 4-5 miliardë euro. Këtu mund të përmendim investimet private në ndërtimin e pallateve për banim, investimet në infrastrukturë nga buxheti i shtetit, Banka Botërore apo orgnizma të tjera financiare.
Deri në vitin 2014 Sigurimi i Përgjegjësisë së Ndërtuesit ishte pothuajse i detyrueshëm. Mbaj mend që, për “Rrugën e Kombit” dhe sigurinë e saj u bënë shumë negociata pasi ndërtuesit kërkonte me çdo kusht Sigurimin “CAR” (Sigurimi i të gjitha rreziqeve në ndërtim) për të gjithë projektin.
Në atë kohë u veprua gabim pasi ky sigurim ju dha një kompanie shtetërore me pretekstin se gjendja financiare e saj ishte e dobët, siç u tha në atë kohë.
Natyrisht kjo ishte një shkelje pasi pabarazia në tendera është pabarazi në zhvillimin ekonomik të tregut që një nga parimet ka zhvillimin e konkurrencës dhe hapësirën për të bërë biznes konform rregullave dhe ligjeve.
Por çfarë përfshin “CAR” në vençanti dhe Sigurimi i Përgjegjësive në Ndërtim në përgjithësi?
Ky produkt është për të gjithë ndërtuesit e pallateve, fabrikave, uzinave, aeroporteve, urave, autostradave. Polica e sigurimit ofron mbulimin në sigurim nga të gjitha rreziqet për fazën e ndërtimit të objekteve dhe gjithashtu edhe për një afat garancie pas përfundimit të punimeve.
Mbulon të gjitha dëmet e pësuara nga i siguruari (kontraktuesi apo nënkontraktuesi i punimeve), ashtu edhe dëmet që i siguruari mund t’i shkaktojë të tretëve.
Pra është një zgjidhje e rëndësishme financiare, e cila nuk duhet të tolerohet dhe të konsiderohet në çdo projekt investimi, sado i vogël qoftë ai.
Në një analizë të zhvilluar nga Shoqata e Siguruesve në Shqipëri vihet re se, pjesa më e madhe e këtyre ndërtimeve kanë pasur aksidente, qoftë brenda investimit ashtu edhe kundrejt palëve të treta.
Por në jo pak raste ka patur dhe shtime të fondeve për shkak të ngjarjeve të sigurimit të ndodhura gjatë ndërtimit.
E në sa raste ka patur shtesa të fondeve për shkak të dëmtimit gjatë ndërtimit. Sa raste aksidentesh njerëzore, të dëmtuar apo që kanë humbur jetën. Pa harruar edhe dëmet në makineri.
Por a ka përfitues nga ky lloj Sigurimi?
Sigurisht. Mbrohet shteti, investimi dhe investitori. Por janë të mbrojtura gjithashtu edhe palët e treta që mund të jenë prej e aksidenteve të ndryshme gjatë ndërtimit.
Atëherë, çfarë ka ndodhur? Pse ky lloj Sigurimi nuk është më i kërkuar nga investitorët, qoftshin ata institucione shtetëtore, private apo ndërkombetare?
Ka shumë pikëpyetje por ka dhe një gjë që nuk mund të tolerohet.
Në të gjitha këto ngjarje dhe aksidente shteti dhe investitorët janë humbësit më të mëdhenj, por edhe individët apo palët e treta të dëmtuara, të cilët nuk kanë përfituar asgjë.
Atëherë cila është zgjidhja?
Duhet që së bashku me lejen e ndërtimit të kërkohet edhe ky lloj Sigurimi.
Sepse në asnjë vend të botës nuk mund të hedhësh një lopatë pa patur më parë sigurimin ndaj palëve të treta apo ‘CAR’.
*Themelues dhe CEO i SIGAL UNIQA Group Austria në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut