Sot, në mjediset e SIGAL Insurance Group, CEO i SIGAL, z. Avni Ponari, zhvilloi një interviste me gazetarin e Ora News, z. Klodi Karaj. Biseda me z. Karaj u ndal në temën e pensioneve private, mundësitë dhe përfitimet e Shqipërisë nëse aktivizohet kollona e dytë e pensioneve si kudo në Evropë dhe në vende të tjera të Ballkanit dhe në drejtim të përfitimeve konkrete që një pension privat në SIGAL Invest mund t’u sjellë shqiptarëve.

Në vijim gjeni zbardhjen e plotë të intervistës së z. Ponari:
Gazetari: President, përshëndetje. Faleminderit për intervistën dhe kohën tuaj. Urime dhe gëzuar një vit sa më të mbarë për ju, familjen dhe kompaninë, e cila e mbylli vitin 2025 si lidere në menaxhimin e fondeve të sigurimit privat për kompani, biznese dhe individë.
Çfarë është pensioni privat?
Z. Avni Ponari: Ne kemi folur shpesh dhe kemi thënë shumë gjëra, por me sa duket, sado të flasësh, përsëri shumë njerëz nuk e dinë, ende nuk arrijnë ta kuptojnë dhe nuk e njohin vlerën dhe rëndësinë që ka kjo industri, në përgjithësi industria e sigurimeve dhe në veçanti pensionet private.
Çfarë është një pension privat? Pensionet në të gjithë botën janë të ndara në disa kategori. Ekziston pensioni i detyrueshëm shtetëror, i cili paguhet nga kontributet në sigurimet shoqërore dhe varet nga vitet e punës dhe vjetërsia.
Ndërsa pensioni privat është një kontribut individual, një përgjegjësi personale. Në Shqipëri ai është vullnetar dhe jo i detyrueshëm me ligj, por përfaqëson një vlerë që individi kontribuon për veten e tij.
Sa më e lartë të jetë ndërgjegjja për të garantuar veten në moshën kur ke më shumë nevojë për të ardhura, aq më mirë e ke menaxhuar përgjegjësinë financiare ndaj vetes.
Natyrisht që ekzistojnë disa forma, por forma më klasike dhe ajo që aplikohet në Shqipëri është pensioni privat mbi bazën e kontributit individual.
Gazetari: Pra, e përcakton vetë pensionin tënd, në bazë të asaj që dëshiron?
Z. Avni Ponari:
Po. Ti vendos vetë të kesh një pension privat krahas atij shtetëror, për një vlerë të caktuar, për pesë, dhjetë, njëzet apo tridhjetë vjet, sa të dëshirosh. Mbi këtë bazë përcaktohet edhe kontributi yt mujor ose vjetor. Kjo është zgjidhja klasike e pensionit privat.
Në vende të tjera, përfshirë Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Bosnjën, Malin e Zi dhe vendet e Evropës, modeli është ndërtuar mbi bazën e shtyllave. Edhe në Shqipëri ekziston kjo formë, por vendi ynë ka zgjedhur vetëm shtyllën e tretë, atë individuale.
Maqedonia e Veriut ka edhe shtyllën e dytë. Shtylla e dytë do të thotë që nga kontributet e sigurimeve shoqërore që paguajnë qytetarët, një pjesë shkon për pensionin privat dhe pjesa tjetër për pensionin shtetëror.
Gazetari: Kjo është e rregulluar me ligj dhe e detyrueshme?
Z. Avni Ponari:
Po, është e rregulluar me ligj dhe e detyrueshme. Për shembull, nëse sot paguhen 25% sigurime shoqërore, shteti përcakton që 2% të shkojnë për pensionin privat dhe 23% për sigurimet shoqërore. Ky 2% që paguhet në sistemin e pensioneve private, kur vjen koha e daljes në pension, kthehet në një pension shumë më të lartë se pjesa tjetër, sepse është kontribut individual.
Ndërsa kontributi për sigurimet shoqërore shërben për të paguar pensionet e të tjerëve. Në Maqedoninë e Veriut dhe në vende të tjera fqinje, kjo skemë ka funksionuar me përqindje të vogla, por sot fondet e pensioneve atje menaxhojnë miliarda euro. Në Maqedoninë e Veriut rreth 6–7 miliardë euro, në Kosovë 5–6 miliardë euro.
Këto fonde investohen në kompani të mëdha evropiane dhe amerikane dhe sjellin fitime të qëndrueshme, sepse janë investime afatgjata dhe të garantuara. Ky është vetë thelbi i pensionit.
Në Shqipëri kemi vetëm pensionin vullnetar, shtyllën e tretë. Presim që në të ardhmen të vendoset edhe shtylla e dytë.
Gazetari:
Çfarë e ka penguar këtë deri tani?
Z. Avni Ponari:
Në fakt, kjo dëmton Institutin e Sigurimeve Shoqërore, sepse humbet monopolin. Nuk ka arsye tjetër, pasi skema sjell vetëm përfitime: pensione më të larta, fonde investimi për ekonominë dhe infrastrukturën e vendit. Fakti që kjo është zbatuar në pothuajse të gjitha vendet e Evropës Lindore, përveç Shqipërisë dhe Serbisë, tregon se është një skemë funksionale dhe e domosdoshme.
Gazetari:
Edhe Banka e Shqipërisë e ka sugjeruar së fundmi mbështetjen e shtyllës së dytë.
Z. Avni Ponari:
Po, prej vitesh ka sugjerime nga Banka Botërore, Banka Evropiane dhe Banka e Shqipërisë, sepse kjo skemë krijon fonde të pastra, pa detyrime ndaj palëve të treta, pensione më të larta dhe kushte më të mira jetese për pensionistët.
Sot, përmes pensioneve private vullnetare, kemi qindra persona që marrin pension privat nga 400 deri në 700 mijë lekë të vjetra në muaj, dy apo trefishi i pensionit shtetëror.
Gazetari:
Madje edhe më herët se mosha ligjore?
Z. Avni Ponari:
Po, sepse pensionin privat ke të drejtën ta marrësh 5 vjet më herët se mosha ligjore, në moshën 60-vjeçare. Ajo që mund të them, në kushtet ligjore dhe standardet ku jemi, është se investimi në fondet e pensioneve private është i domosdoshëm, sepse nëse investon nga paga, atëherë përjashton deri në 4.8 milionë lekë nga taksat. Ky është një përfitim jo i vogël, pasi kjo shumë përjashtohet nga taksa 23%. Pra, i vendos te fondi i pensioneve dhe këto para janë të përjashtuara nga taksa 23%. Ky është një fitim i madh.
E para. E dyta, nëse kompania investon për të të dhënë ty një pension, përfiton edhe ajo. Jo pak nga kjo shumë, sepse përfiton edhe kompania, edhe individi. Në të dy rastet kemi përfitues: edhe ai që do të marrë pensionin, sepse e heq nga taksat, edhe kompania, sepse i ulet shuma e kontributit në sigurime.
Kjo është një zgjidhje shumë e rëndësishme dhe që krijon mundësi shumë të mira për këdo që ka dëshirë. Duke pasur një pension privat, ti ke shumë garanci. Ajo që është themelore është se pensioni privat nuk humbet kurrë. Është i trashëgueshëm, pra ti mund t’ia lësh pensionin privat dikujt tjetër, mund t’ia kalosh apo t’ia dhurosh një personi tjetër, është një shumë që nuk humbet, ndërsa pensioni shtetëror, nëse vdes, shuhet.
Në pensionin privat, shuma e parave të investuara është përherë e qytetarit dhe ai mund t’i përdorë për çfarë të dëshirojë. Mund ta përdorë edhe si kolateral në banka. Mund të marrë kredi duke vendosur si kolateral shumën që ka, të cilën e sheh çdo ditë se sa lekë ka. Në rast se dështon, natyrisht që banka do t’i marrë ato lekë, por gjithsesi nuk vihesh në vështirësi për të pasur një shumë të caktuar që mund të të nevojitet për një periudhë kohe.
Gazetari:
Edhe kjo më duket interesante: paratë që dikush kontribuon nuk shkojnë diku pa u ditur vendndodhja. Secili e ka llogarinë në telefonin e tij dhe mund ta kontrollojë në çdo moment.
Z. Avni Ponari:
Çdo njeri ka llogarinë e vet, sheh sa shton, sa është vlera çdo muaj dhe mund ta monitorojë vazhdimisht. Investimi i këtyre parave bëhet në bono thesari shtetërore me afat të gjatë, ndaj edhe përfitimi është më i madh.
Ndaj, investimi është gjithmonë shumë i rëndësishëm dhe secili duhet ta mendojë këtë si një zgjidhje. Përveç kësaj, në rast se investon në fondin e pensioneve, ne kemi ofruar edhe sigurim jete, në varësi të kërkesës së klientit. Nëse ai kërkon që për një shumë të caktuar të marrë dyfishin e vlerës në rast se humbet jetën, trashëgimtarët e tij e përfitojnë këtë shumë.
Nga ana tjetër, kemi ofruar edhe sigurim shëndetësor, ku qytetari mund të kurohet deri në 1 milion euro në rast sëmundjesh të rrezikshme, si kanceri, sëmundjet e zemrës apo faktorë të tjerë, transplante, kundrejt një vlere vjetore që nuk është e lartë. Kështu që, duke i alternuar dhe bashkuar këto me sigurimet e tjera, me 270–280 euro në vit, qytetari përfiton trajtim në rast se diagnostikohet me kancer, sëmundje të zemrës, transplant apo sëmundje të tjera të rrezikshme, dhe mjekohet në spitalet më të mira të Europës.
Ne kemi disa raste të trajtuara, të cilat janë paguar me vlera shumë të larta, 120–180 mijë euro, dhe sot ata janë në gjendje të shkëlqyer, me rrezik zero për çfarë janë kuruar. Jetojnë normalisht, në kushte normale.
Gazetari:
Faleminderit!




