Biznesi shqiptar dhe ai japonez do të kenë tani një “institucion” të përbashkët që do t’i shërbejë rritjes së bashkëpunimit mes dy vendeve.
Është çelur në “SIGAL Business Center” në Tiranë Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Japoni, një nismë mjaft e rëndësishme dhe me ndikim pozitiv në rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Japoni synon të vendosë theksin në potencialet që paraqet vendi ynë për investitorët japonezë dhe afrimin e biznesit shqiptar me Japoninë, një ndër Top 3 ekonomitë botërore.
Në këtë optikë tërheqëse, falë promovimit sistematik dhe konsolidimit të marrëdhënieve Shqipëri –Japoni, shfaqet me mjaft interes thellimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ndërmjet biznesit shqiptar dhe atij japonez.
Për këtë qëllim, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Japoni fton kompanitë tregtare dhe çdo aktor tjetër për pjesëmarrje aktive dhe mbështetje në objektivat ambicioze.
Lexo edhe: E vetmja markë me 10 vite garanci/ Ambasadori i Japonisë viziton showroom-in e “Toyota Albania”
KUSH JEMI
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Japoni është subjekt i të drejtës shqiptare në formën e një shoqatë jofitimprurëse, e themeluar nga disa kompani tregtare dhe me seli në Tiranë.
Shoqata mbështet interesat e kompanive Japoneze në Shqipëri si dhe nxit e favorizon kompanitë shqiptare të interesuara për kontakte dhe bashkëpunime me kompanitë japoneze.
VIZIONI DHE OBJEKTIVAT
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Japoni ka për qëllim të favorizojë zhvillimin e marrëdhënieve tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Japonisë nëpërmjet krijimit të një rrjeti kontaktesh ndërmjet korporatave, këshillimi, ndërmjetësimi, orientimi i tyre për vendosjen në tregun shqiptar, si dhe çdo aktivitet tjetër me ndikim influencues në marrëdhëniet Shqipëri-Japoni, do të jenë baza ku do të nisë ky rrugëtim.
Dhoma do të jetë partner me grupet e ndryshme të interesit si dhe do të bashkëpunojë drejtëpërdrejtë me administratën, organizatat tregtare dhe industriale, Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë dhe institucione të tjera potenciale në vend.
INSTRUMENTET IMPLEMENTUES
- Asistencë në krijimin e një rrjeti kontaktesh ndërmjet shoqërive shqiptare dhe atyre japoneze, këshillim dhe ndihmë aktive në arritjen e negociimit;
- Ndërmjetësim dhe asistencë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me të cilat mund të përballen bizneset;
- Orientim në vendosjen në tregun shqiptar të eksportuesve japonezë;
- Udhëzim dhe mbështetje gjatë udhëtimit të tyre për biznes në Shqipëri;
- Vendosja e marrëdhënieve të dobishme për anëtarësinë, kryesisht me autoritetet publike, grupet tregtare dhe financiare, dhoma të tjera të tregtisë, sindikatat apo çdo forum tjetër me interes;
- Organizimi i eventeve me influencë në jetën dhe gjallërinë e biznesit në vend, të tilla si ekspozita, konferenca, seminare, dreka pune, misione, pritje etj.; si dhe çdo aktivitet tjetër me veprim të drejtpërdrejtë apo të tërthortë me impakt në zhvillimin e marrëdhënieve Japoni-Shqipëri.
BORDI DREJTUES
Pjesë e Bordit Drejtues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Japoni janë emra të njohur të botës së biznesit në vend, ku mund të përmendim Presidentin e Dhomës dhe Kryetarin e Bordit Drejtues, CEO-n e kompanisë më të madhe të sigurimeve në Shqipëri dhe rajon, SIGAL UNIQA Group Austria, z.Avni Ponari apo CEO i “Toyota Albania – Alto SHPK, z.Adrian Totokoçi.
President: Avni PONARI (SIGAL BUSINESS CENTER)
Anëtarë: Adrian Totokoçi (Toyota Albania – ALTO SHPK)
Alban Xhaferri (Fuji Film)
Sekretar Organizativ: Erion Lekaj
Kontakte:
Tel: +3554223308
Web: www.jcci.al
E-mail: [email protected]
Adresa: Qendra e Biznesit “SIGAL BUSINESS CENTER”, Blv. Zogu I, Tiranë