Është caktuar data e zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm në Shqipëri.
Institucioni i Presidencës përmes një njoftimi bëri të ditur se zgjedhjet do të mbahen në 11 maj.
Për këto zgjedhje, Presidenti i Republikës kishte në dispozicion katër ditë të diela midis datave 15 prill dhe 15 maj 2025.
Po ashtu, sipas Presidencës, “shkaku themelor për caktimin e datës 11 maj 2025 si datë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve qëndron në nevojën e shprehur nga KQZ-ja për të shfrytëzuar të gjithë kohën në dispozicion për përgatitjen e infrastrukturës ligjore dhe organizative, me qëllim që të bëhet i mundur votimi i sukseshëm dhe rezultativ i shqiptarëve nga jashtë vendit”.
Kujtojmë se disa nga partitë opozitare e kishin kundërshtuar datën 11 maj dhe kishin kërkuar që zgjedhjet të mbaheshin në datë 4 maj, për disa arsye që ato i kishin paraqitur edhe në takimin me Presidentin.
Njoftim shtypi:
Sot Presidenti i Republikës nxorri dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë. Zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen në datën 11 maj 2025.
Për këto zgjedhje, Presidenti i Republikës kishte në dispozicion katër ditë të diela midis datave 15 prill dhe 15 maj 2025.
Shkaku themelor për caktimin e datës 11 maj 2025 si datë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve qëndron në nevojën e shprehur nga KQZ-ja për të shfrytëzuar të gjithë kohën në dispozicion për përgatitjen e infrastrukturës ligjore dhe organizative, me qëllim që të bëhet i mundur votimi i sukseshëm dhe rezultativ i shqiptarëve nga jashtë vendit.
Presidenti i Republikës shpreh bindjen se sfida madhore e këtyre zgjedhjeve është votimi nga jashtë vendit dhe përfshirja masive e zgjedhësve me banim jashtë shtetit në këtë proces thelbësor për demokracinë.
Të gjitha forcat politike kanë shprehur publikisht vendosmërinë për të ndihmuar këtë proces dhe për t’ia nënshtruar caktimin e datës së zgjedhjeve këtij interesi prioritar. Presidenti i Republikës bashkohet plotësisht dhe e respekton pa mëdyshje këtë vullnet.
Partia Demokratike dhe një pjesë e konsiderueshme e partive parlamentare i paraqitën Presidentit të Republikës shqetësimin, se planifikimi i samitit të 6-të të Komitetit Politik Evropian (EPC) për datat 8 dhe 9 maj të vitit 2025, dy ditë para datës së fundit të mundëshme për zhvillimin e zgjedhjeve, formon ndikim dhe avantazh të papranueshëm për qeverinë, si dhe cënon ndjeshëm parimin e barazisë së armëve që kërkon Kodi Zgjedhor për fushatën zgjedhore.
Pa vënë në diskutim lejueshmërinë ose jo të një veprimtarie të tillë, sepse kjo është kompetencë ligjore e KQZ-së, Presidenti i Republikës bashkohet në qëndrimin, se zhvillimi nga ana e qeverisë i një takimi të kësaj natyre në finalen e fushatës zgjedhore, me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të lidershipit politik evropian, nuk mund të jetë pa ndikim në caktimin e datës së zgjedhjeve.
Për këtë arsye, Presidenti i Republikës, pasi bëri të gjitha verifikimet e nevojshme me autoritetet kompetente të Shqipërisë, mori zyrtarisht sigurimet, se aktiviteti i mësipërm do të zhvillohet pas zgjedhjeve parlamentare, fakt ky i konfirmuar për Presidentin e Republikës edhe nga interlokutorët ndërkombëtarë.
Konfirmimi zyrtar si më sipër heq rezervën e shprehur nga Partia Demokratike dhe nga pjesa tjetër e partive parlamentare ndaj datës 11 maj 2025 dhe e bën këtë datë të pranueshme dhe të pëlqyeshme për të gjithë faktorin politik.
Për këto arsye Presidenti i Republikës vendosi që të respektojë kërkesën e KQZ-së dhe të caktojë datën 11 maj 2025 si datë për zhvillimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë.