18.5 C
Tirana
Friday, April 10, 2026
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitet"Aksidentohet duke zbritur nga autobusi, a përfiton dëmshpërblim?", interpretimi i rastit

“Aksidentohet duke zbritur nga autobusi, a përfiton dëmshpërblim?”, interpretimi i rastit

Një lexuese e Sigurime.Online solli rastin e bashkëshortit të saj, i cili, duke zbritur nga autobusi i linjës urbane, pësoi një aksident.

Ai u godit aksidentalisht nga një degë e sapokëputur nga pema, si pasojë e erës së fortë.

Nga përplasja e papritur përtokë bashkëshorti i zonjës pësoi dëme shëndetësore, paaftësi të përkohshme.

Sigurime.Online nuk jep vendime gjyqësore dhe interpreton vetëm bazën paraprake me bazë legjislacionin e sigurimeve.

Më shumë se sa interpretim shterues, Sigurime.Online nga pikëpamja edukative-informuese orienton një mënyrë interpretimi sipas legjislacionit të siguracioneve.

Në parim, pronarët e mjeteve të transportit publik të pasagjerëve janë të detyruar të lidhin kontratë për sigurimin e aksidenteve të pasagjerëve në transportin publik, sipas parashikimeve të kreut III.

Pronarët e autobusëve, sipas parashikimit të ligjit, qofshin këta urbanë, interurbanë, transport publik ndërkombëtar, përfshirë edhe rastet kur merren me qira, duhet ta lidhin detyrimisht këtë kontratë.

Sipas pikës 1 të nenit 18 të ligjit të sigurimit të transportit të detyrueshëm, pasagjerë të autobusit konsiderohen sipas ligjit personat që udhëtojnë me atë mjet, si i destinuar për transport publik, pavarësisht nëse personat kanë blerë një biletë.

Pasagjerë konsiderohen edhe personat që kanë të drejtë të udhëtojnë pa pagesë, si dhe personat të cilët ndodhen në territorin e stacionit ose pranë mjetit të transportit, para se të hipin ose edhe kur janë duke zbritur, të cilët kanë qëllim të udhëtojnë ose që kanë udhëtuar me njërin nga mjetet e transportit, me përjashtim të personave të punësuar në mjetin e transportit.

Në rastin konkret, kjo rrethanë, merr shumë rëndësi pasi zotëria, bashkëshorti i zonjës, u aksidentua duke zbritur nga autobusi. Ai konsiderohet pasagjer sipas përcaktimeve të pikës 1 të nenit 18, sepse sapo kishte përfunduar udhëtimin dhe gjendej pranë mjetit të transportit publik, duke zbritur.

Në bazë të nenit 20, ligji 32/2021 për sigurimin e detyrueshëm të transportit publik, pasagjeri i dëmtuar, sipas kushteve të kontratës së sigurimit, ka të drejtën të kërkojë dëmshpërblim te shoqëria e sigurimit me të cilën është lidhur kontrata e sigurimit.

Gërma “c” e pikës 1 të nenit 19, parasheh një dëmshpërblim deri në 1 000 000 (një milion) lekë në rast paaftësie të përkohshme për punë dhe trajtimet mjekësore, siç ishte rasti konkret.

E drejta për të kërkuar dëmshpërblim është në përputhje me shkronjën “B” të pikës 3 të nenit 19. Ligji parashikon edhe rënien e objekteve të jashtme mbi mjetin motorik gjatë përdorimit të tij, qëndrimit në stacion apo gjatë qarkullimit, si rrethanë ku pasagjerit i lind e drejta e kërkesës për dëmshpërblim.

Në bazë të Rregullores nr. 125/2021 të miratuar nga AMF, “Për përcaktimin e rregullave dhe metodologjisë së llogaritjes së dëmshpërblimit që mbulohet nga kontrata e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”, pika 2 e nenit 5, që rregullon paraqitjen e kërkesës për dëmshpërblim, duhet mbajtur parasysh se kërkesa për dëmshpërblim duhet bërë brenda një periudhe 2-vjeçare nga data e ndodhjes së aksidentit.

Sigurime.Online nuk jep vendime gjyqësore dhe nuk paragjykon vendimet apo përgjigjet e kompanive siguruese, por me të dhënat e paraqitura, nxit fort lexuesen që drejtoi pyetjen të kërkojë dëmshpërblim nëse sipas nenit 5 të Rregullores së AMF, 125/2021, është brenda periudhës 2-vjeçare të ngjarjes.

 

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat