Tregu i sigurimeve në Kosovë ka regjistruar një rritje modeste gjatë tetëmujorit të parë të vitit 2025, duke shënuar një zgjerim prej 6.43% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), volumi i primeve të shkruara bruto arriti në 120.33 milionë euro, me një rritje absolute prej 7.27 milionë euro krahasuar me një vit më parë për të njëjtën periudhë.
Periudha e referuar është ajo e tetëmujorit të parë të vitit, janar-gusht 2025.
Megjithatë, pavarësisht rritjes në vlerë, numri i kontratave ra me 7.63%, duke zbritur në 1,315,198 polica sigurimi në total.
Në ndarjen sipas veprimtarive, sigurimet e Jo-Jetës vijojnë të dominojnë tregun, me 115.04 milionë euro prime bruto të shkruara, një rritje prej 6.50% krahasuar me janar–gusht 2024.
Megjithatë numri i kontratave në këtë segment pësoi rënie prej 8.69%, duke u ulur në 1,258,507 polica.
Ndërkohë, veprimtaria e Jetës ka regjistruar një ecuri më pozitive, me një rritje të primeve bruto prej 4.89%, në vlerën e 5.29 milionë euro, dhe me një rritje të ndjeshme prej 24.46% të numrit të kontratave, që arritën në 56,691.
Në anën tjetër, dëmet e paguara nga kompanitë e sigurimeve u rritën ndjeshëm, duke arritur në 57.83 milionë euro, ose 20.64% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Në total, janë paguar 154,277 dëme, nga të cilat 153,703 i përkasin sigurimeve të Jo-Jetës dhe 574 sigurimeve të Jetës, një rritje prej 5,445 dëmesh në krahasim me vitin e kaluar.
Të dhënat tregojnë se tregu i sigurimeve në Kosovë vijon të rritet, por me ritme më të ngadalta dhe me ulje të numrit të kontratave, çka sinjalizon një konsolidim të tregut dhe rritje të vlerës mesatare të primeve në raport me vitin paraprak.