17.5 C
Tirana
Friday, November 22, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetBota do të përballet me një mungesë prej 13 milionë infermierësh në...

Bota do të përballet me një mungesë prej 13 milionë infermierësh në 2030-ën

Numri i punonjësve që janë pjesë e sistemit të kujdesit shëndetësor është reduktuar ndjeshëm në të gjithë botën, si pasojë e burnout-it, rraskapitjes, keqtrajtimit, si dhe rreth 115 mijë vdekjeve nga Covid.

Në një raport të publikuar (më 24 janar), Këshilli Ndërkombëtar i Infermierëve (KNI), një organizatë e shoqatave globale të infermierëve me qendër në Gjenevë, vlerësoi se bota mund të ketë një mungesë prej 13 milionë infermierësh deri në vitin 2030, nëse nuk ndërmerren veprime konkrete për të frenuar valën e largimeve në këtë sektor, si dhe për të punësuar infermierë të rinj në sistemin e kujdesit shëndetësor.

“E dinim se situata ishte e brishtë për shkak të mungesës së vazhdueshme të financimit për sektorin e infermierisë në mbarë botën, për shumë e shumë vite me radhë,” tha Howard Catton, CEO i Këshillit Ndërkombëtar të Infermierëve me qendër në Gjenevë, i cili përfaqëson më shumë se 27 milionë infermierë në 130 vende të ndryshme, “por, duke u bazuar tek informacionet e fundit në lidhje me vendet e lira të punës për infermierë, normën e lartë të largimit të tyre nga puna, si dhe normat së lartë të sëmundjeve së stafit, tani mungesa e infermierëve duhet të konsiderohet një krizë globale.”

Rraskapitja e infermierëve, nga Spanja deri në Kinë

Sondazhi i raportit për shoqatat e infermierëve në mbarë botën solli një pamje të zymtë për situatën e infermierëve. Në Spanjë, infermierët raportuan mungesë kronike të mjeteve mbrojtëse personale, ndërsa 30% e tyre u infektuan me Covid. Në Kanada, 52% e infermierëve raportuan staf të pamjaftueshëm dhe 47% tejkaluan kufirin e diagnozës për ҫrregullime të mundshme të stresit post-traumatik.

Infermierët në mbarë botën po kalojnë në burnout: 40% në Ugandë, 60% në Belgjikë dhe 63% në SHBA. Në Oman, 38% e infermierëve thanë se ishin në depresion dhe 73% kishin pagjumësi. 57% e infermierëve në Mbretërinë e Bashkuar kishin në plan të linin punën e tyre në vitin 2021, nga 36% në vitin 2020. 38% e infermierëve në Liban nuk donin të punonin më si infermierë, por nuk u larguan nga puna për shkak se familjet e tyre kishin nevojë për para.

Në Australi, 17% e infermierëve kishin kërkuar mbështetje për shëndetin mendor. Në Kinë, 6.5% e infermierëve raportuan se kishin menduar vetëvrasjen.

Mungesat e sotme i përkeqësojnë akoma më shumë mungesat në të ardhmen

Edhe përpara goditjes së pandemisë, e cila ka hyrë tashmë në vitin e saj të tretë, bota kishte një mungesë prej 5.9 milionë infermierësh. Shumica e këtyre mungesave ishin në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Duke qenë se vendet më të pasura tërheqin infermierë nga vendet e tjera, pabarazitë mund të përkeqësohen akoma më shumë. Ndërkohë, stafi i reduktuar në spitalet amerikane ka çuar gjithashtu në rënien e raportit infermierë-për-pacient, raport ky që u përkeqësua akoma më tepër që nga fillimi i Covid.

Ndërkohë, situata me Covid-in, duke përfshirë nevojën për vaksinimin e popullsisë, si dhe kujdesin për miliona njerëz që infektohen nga virusi, ka rritur kërkesën për punonjës të kujdesit shëndetësor, duke zgjeruar akoma më tej hendekun midis numrit aktual të infermierëve dhe numrit të nevojshëm të tyre. Për më tepër, ndryshimet e përgjithshme demografike, që kanë sjellë rritjen e popullsisë së moshuar në shumë vende, do të sjellin gjithashtu kërkesë më të madhe për infermierë.

Kriza e infermierëve mund të shmanget ose të paktën të zbutet, por botës do t’i duhet të shpenzojë më shumë para – për të paguar më mirë infermierët, për t’i ofruar atyre pajisje më të mira dhe për të rritur numrin e punonjësve – në mënyrë që infermierët të mos mendojnë që braktisja e profesionit është zgjedhja e tyre e vetme.

/Quartz

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat