Nga fillimi i vitit 2026 ka nisur zbatimi i sistemit bonus-malus në sigurimin e detyrueshëm të mjeteve motorike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta, një ndryshim i rëndësishëm që synon të nxisë sigurinë rrugore dhe më shumë drejtësi dhe ndërgjegjësim në tregun e sigurimeve dhe në drejtimin e përgjegjshëm të automjeteve.
Duke folur në podcastin “Business Plus” të revistës Monitor, drejtori i përgjithshëm i SIGAL Insurance Group, Avni Ponari, theksoi se penalizimi financiar i drejtuesve që shkaktojnë aksidente ishte një masë e pashmangshme dhe e vonuar në kohë.
“Bonus-malusi sot në botë nuk është më një fenomen i ri dhe as diçka që diskutohet nëse duhet apo jo. Ai zbatohet kudo”, u shpreh z. Ponari, duke shtuar se debati i ashpër në Shqipëri shpesh vjen nga mungesa e njohjes së funksionimit real të tregut të sigurimeve.
Sipas tij, bonusi nuk është një dhuratë nga kompanitë e sigurimeve, por një shpërblim që shoferi ia jep vetes.
“Bonusi më i madh është që drejtuesi nuk përfshihet në aksident: mbron jetën e tij, të familjes dhe pasurinë e vet”, tha z. Avni Ponari.
Në të kundërt, ai theksoi se malusi është ndëshkim i drejtë për ata që shkaktojnë aksidente, duke rrezikuar jetën e të tjerëve dhe duke krijuar kosto të mëdha për shoqërinë.
CEO i SIGAL INSURANCE GROUP solli në vëmendje shifra që, sipas tij, tregojnë qartë pse vendosja e sistemit bonus-malus ishte e domosdoshme.
“Që nga liberalizimi i tregut, janë paguar mbi 600 mijë dëme nga sigurimet e automjeteve, brenda dhe jashtë Shqipërisë”, deklaroi ai, duke theksuar se këto janë vlera shumë të mëdha financiare.
Ai theksoi raste ekstreme ku dëmet e shkaktuara jashtë vendit nga drejtues shqiptarë kanë kapur shifra mbi 5 milionë euro, ndërkohë që primi i sigurimit ka qenë vetëm rreth 40 euro, duke e vlerësuar këtë si thelbin ekonomik të problematikës nga perspektiva e siguruesit.
Sipas drejtuesit të SIGAL, për më shumë se 35 vite, drejtuesit shqiptarë që kanë shkaktuar aksidente nuk janë penalizuar me rritje primi, pavarësisht se disa prej tyre kanë shkaktuar dhjetëra dëme me vlera që shkojnë në miliona euro.
“Shifrat janë kokëforta dhe flasin vetë. Vendosja e malusit është e vonuar”, konsideroi z. Ponari.
Ponari sqaroi se sot rreth 600–700 mijë drejtues mjetesh përfitojnë bonus, me një ulje rreth 3% të primit, ndërkohë që vetëm rreth 30 mijë drejtues, ata që kanë shkaktuar aksidente vitin e kaluar, do të penalizohen.
Sipas tij, përfitimi total i shoferëve korrektë është disa herë më i madh se shuma që do të paguajnë të penalizuarit.
Ai nënvizoi se ndëshkimi nuk është arbitrar, por lidhet drejtpërdrejt me shkeljen e rregullave të qarkullimit, shpejtësinë e lartë, përdorimin e alkoolit dhe papërgjegjshmërinë në rrugë.
“Këto shkelje kanë sjellë 250 deri në 300 vdekje në vit dhe mijëra të plagosur. A nuk duhen ndëshkuar shkaktarët?”, pyeti ai në mënyrë retorike gjatë përgjigjes së tij z. Ponari.
Sipas CEO-s së SIGAL Insurance Group, ndëshkimi që vjen nga tregu i sigurimeve është financiar, dhe është një praktikë e aplikuar në çdo vend të botës.
“Nuk ekziston asnjë vend ku ata që shkaktojnë aksidente të paguajnë të njëjtin prim sigurimi vitin pasardhës si ata që nuk shkaktojnë”, theksoi ai.
Në fund, Ponari theksoi se sistemi bonus-malus është në interes të qytetarëve dhe rrit sigurinë rrugore, duke krijuar një lidhje të drejtpërdrejtë mes sjelljes në rrugë dhe kostos së sigurimit.
“Ky sistem u kujton drejtuesve se sjellja e tyre sot përcakton sa do të paguajnë nesër”, përfundoi CEO i SIGAL Insurance Group, theksoi z. Avni Ponari.




