“Scan Intel” ka analizuar më me detaje shifrat më të fundit të INSTAT sa i përket ndërmarrjeve të huaja në vendin tonë, ku veç të tjerave, në sy bie edhe një shifër; ajo e ndërmarrjeve të përbashkëta mes shqiptarëve dhe të huajve.
Norma e këtyre ndërmarrjeve ka zbritur gjatë vitit 2021 pranë minimumit historik, në vetëm 0.8% të totalit të ndërmarrjeve në vendin tonë.
Në vitin 2020 kjo normë fiksohej pranë 1% dhe në vitin 2019 pranë 1.3%.
“Scan Intel” i ka analizuar shifrat ndër vite për të kuptuar tendencën, nga ku vihet re se rekordi historik maksimal është prekur në vitin 2017 dhe 2014, me 1.6%, çka do të thotë se në harkun e 5 viteve është përgjysmuar norma e ndërmarrjeve të përbashkëta mes shqiptarëve dhe të huajve.
Ndërkohë që viti 2021 përkon me pandeminë, kjo tendencë nuk duket të ketë shumë lidhje me këtë, pasi trendi është i qëndrueshëm, në rënie që prej vitit 2018, ndërkohë që nga ana tjetër norma e ndërmarrjeve vetëm të huaja në vendin tonë ka ardhur në rritje nga viti në vit. Madje, në vitin 2021 ka prekur nivelin më të lartë që prej 2014-ës, duke u ngjitur pranë 2.9%, nga 2.7% që ishte në 2019-ën, 2.5% në 2018-ën, apo 2.3% në 2017-ën.
Nga ajo që tregojnë shifrat duket se të huajt nuk kanë ndalur së bëri biznes në Shqipëri, por kanë ndalur hapin e të bërit biznes me sipërmarrës shqiptar.
Të njëjtën gjë konfirmojnë shifrat edhe nëse i shohim në absolut, pra jo si normë mbi totalin e ndërmarrjeve në vendin tonë.
Në vitin 2021, numri total i ndërmarrjeve me pronësi të përbashkët mes shqiptarëve dhe të huajve ka zbritur pranë një rekordi historik të ulët, vetëm 1385 të tilla, nga 1602 në 2020-tën apo 2174 në vitin 2019. Pra, në vetëm tre vite numërohen 789 biznese të përbashkëta më pak në vendin tonë.
Rekordi historik regjistrohet në vitin 2017, me plot 2591 ndërmarrje të tilla. Nga krahu i kundërt shohim se në vitin 2021, numri i ndërmarrjeve me pronësi 100% të huaj në vendin tonë ka prekur rekordin historik prej 5250 ndërmarrjeve, nga 4443 në 2020-ën apo 4269 në 2019-ën.
Nëse krahasimin e bëjmë me vitin 2017-të kuptojmë se gjatë së njëjtës periudhë kohore, bizneset 100% të huaja në Shqipëri janë shtuar me 1659 subjekte, ose me 46%, ndërkohë që ato të përbashkëta janë pakësuar me 1206 subjekte, apo ekzaktësisht me 46%.
Siç e tregojnë qartë shifrat, sipërmarrësit e huaj vijojnë të hapin aktivitete në Shqipëri, dhe jo vetëm që nuk preferojnë më partneritet me vendasit, por duket se po tërhiqen edhe nga ortakëritë e vjetra, duke pasur parasysh pakësimin e ndjeshëm të ndërmarrjeve me pronësi të përbashkët.