Bordi i Transparencës ka vendosur uljen e çmimit të karburanteve, për të tretën herë brenda javës.
Shkak duket se është bërë edhe rënia e çmimit të naftës në bursë që aktualisht tregtohet me 72 dollarë për fuçi.
Kështu, nga sot, nafta do të tregtohet me 169 lekë për litër, me pakicë, benzina 172 lekë për litër dhe gazi me 62 lekë për litër.
Njoftimi i Bordit të Transparencës:
Vendimet e Bordit të Transparencës në datë 4 Maj 2023 kanë ndryshime të çmimit nga ai i përcaktuar në mbledhjen e fundit.
Referuar të dhënave lidhur me bursën Platts të datës 02.05.2023, kemi ndryshime të çmimit nga ai përcaktuar në mbledhjen e fundit, konkretisht rezulton se çmimi (FOB/MED $ Ton) i Benzinës është 740, -35 nga data 02.05.2023, $/ Ton, ndërsa çmimi i Gazoilit/Diesel është 633, -24 nga data 02.05.2023, $/Ton. Kursi i këmbimit i BSH ka pësuar ulje në 101.18 (- 0.62 nga data 02.05.2023).
Si rrjedhojë çmimet e vendosura janë:
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 169 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 157 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 172 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 161 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 62 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 50 lekë/litër për automjetet.
Çmimi i gazoilit për peshkim është vendosur 75 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi në datë 4 Maj ora 18.00, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Bordi i transparencës që në krijimin e tij i është përmbajtur me përpikmëri në vendimet e tij lëvizjes së bursës Platts të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatorëve.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ndjen detyrimin të sqarojë opinionin publik se jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë në bursën e gazoilit dhe benzinës.