14.5 C
Tirana
Friday, November 22, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetBankat lehtësojnë më tej standardet e kredisë për prona

Bankat lehtësojnë më tej standardet e kredisë për prona

Bankat lehtësuan më tej standardet e kreditimit për individët në tremujorin e tretë të vitit.

Lehtësimi i standardeve për individët preku vetëm në kreditë për blerje banesash, ndërkohë që standardet e kreditimit në kreditë konsumatore, nuk ndryshuan nga një tremujor më parë.

Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë evidentoi se për tremujorin e tretë lehtësimi i standardeve të kreditimit për individët u arrit nga shtimi i konkurrencës në sistem bankar, si edhe nga perceptimi i bankave për rrezik më të ulët lidhur me kolateralin.

Raporti i kredive të refuzuara ndaj totalit të aplikimeve për kredi nga ana e individëve u raportua në rënie në tremujorin e tretë të vitit.

Të ardhurat e disponueshme, politikat e bankave lidhur me kolateralin e kërkuar, si edhe historiku i kredive aktuale, mbështetën rënien e raportit të refuzimeve për kredi nga individët në këtë tremujor. Lehtësimi i kushteve të kreditimit për individët u arrit vetëm nëpërmjet kushteve joçmim, ndërsa marzhet e interesit, si për kreditë normale ashtu edhe ato me rrezik, u raportuan të pandryshuara nga një tremujor më parë.

Kushtet joçmim u lehtësuan si pasojë e kërkesave më të ulëta për kolateral në raport me kredinë e dhënë, si dhe zgjatjes së maturitetit maksimal të kredisë.

Lehtësimi i kushteve dhe termave të kreditimit për individët u mbështet nga shtimi i konkurrencës në sistem bankar, si edhe nga toleranca më e lartë e bankave kundrejt rrezikut nga një tremujor më parë.

Edhe kërkesa e individëve për kredi u perceptua më e lartë në tremujorin e tretë të vitit, nxitur kryesisht nga kreditë për blerjen e banesave.

Sipas gjykimit të bankave, rritja e kërkesës për kredi nga individët i atribuohet nevojave më të larta për financimin e blerjes së banesave dhe të konsumit, zhvillimeve aktuale e të pritura në tregun e banesave, përmirësimit të besimit konsumator, si edhe nivelit të normave të interesit.

Statistikat e bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia për individë po rritet me ritme të larta, e mbështetur sidomos nga kredia për blerjen e banesave.

Për tetë muajt e parë të këtij viti, kredia e re e disbursuar për individët është rritur me 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në fund e muajit gusht, portofoli total i kredisë për individë arriti vlerën e 214 miliardë lekëve. Rreth 65% e kësaj shume, konsiston në kredi për blerjen e pasurive të paluajtshme.

Në tremujorin e fundit të vitit 2021, bankat presin t’i lehtësojnë më tej standardet e kreditimit për individët, sidomos në kreditë për blerjen e banesave.

Gjithashtu, bankat presin që të vijojë shtimi i kërkesës për kredi nga ana e individëve, si për blerjen e banesave, ashtu edhe për financimin e konsumit.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat