BQE dhe EIOPA: Të ngrihet një skemë risigurimi publik-privat
Qytetarët dhe bizneset evropiane duhet të rrisin sigurimet për t’i bërë ballë katastrofave natyrore si shkak i ndryshimeve klimatike, thanë të mërkurën Banka Qendrore Evropiane dhe rregullatori i sigurimeve të BE-së (EIOPA) ndërsa propozuan politika që mund të nxisin sigurimet.
Me vetëm një të katërtën e humbjeve nga katastrofat natyrore të siguruara aktualisht dhe hendekun që do të zgjerohet pasi ndryshimet klimatike po i bëjnë fatkeqësitë më të shpeshta dhe më të rënda, dëmi i shkaktuar nga këto ngjarje po paraqet rrezik për ekonominë dhe stabilitetin financiar, thanë ata.
Për të ndihmuar njerëzit të përballen, Bashkimi Evropian duhet të nisë një skemë risigurimi publik-privat në mbarë bllokun për të rritur mbulimin për fatkeqësitë e lidhura me klimën, thanë në një dokument të përbashkët BQE dhe Autoriteti Evropian i Sigurimeve dhe Pensioneve Profesionale (EIOPA).
“Ne duhet të rrisim sigurimin karshi ndryshimeve klimatike për të kufizuar ndikimin në rritje të fatkeqësive natyrore në ekonomi dhe sistemin financiar”, tha zëvendëspresidenti i BQE-së, Luis de Guindos.
Evropa është kontinenti që po pëson ngrohjen më të shpejtë në botë dhe shumë vende kanë pësuar një sërë fatkeqësish të rënda këtë vit.
Përmbytjet e tetorit në Spanjë vranë më shumë se 220 njerëz, thatësira ka shkatërruar industrinë bujqësore të Italisë ndërsa Greqia ka vazhduar të përballet me zjarre të rënda.
Kryetarja e EIOPA-s, Petra Hielkema është shprehur se, është jetike të trajtohej “hendeku në rritje i sigurimit”, për të mbrojtur qytetarët dhe bizneset përballë humbjeve të shkaktuara nga ndryshimet klimatike.
LEXO EDHE: Siguracionet që na nevojiten për tu mbrojtur financiarisht nga fatkeqësitë natyrore