Banka Qendrore e Afrikës së Jugut (SARB) do të zgjerojë analizat e saj për rreziqet klimatike duke përfshirë këtë herë edhe sektorin e sigurimeve.
Kjo vjen si përpjekje për të kuptuar më mirë ndikimet afatgjata ekonomike të ngjarjeve ekstreme të motit.
Zëvendësguvernatorja e Afrikës së Jugut, Fundi Tshazibana, për Global Insurance News, deklaroi se, pas testit të parë për bankat, një version i ngjashëm do të zbatohet për siguruesit, me publikimin që pritet më 19 qershor, së bashku me Raportin e Stabilitetit Financiar.
Ngjarjet klimatike si përmbytjet, thatësirat dhe zjarret po sjellin dëme të drejtpërdrejta financiare dhe pasoja afatgjata ekonomike, nga turizmi natyror e deri te inflacioni i shkaktuar nga rritja e çmimeve të ushqimeve.
Vetëm përmbytjet e vitit 2022 shkaktuan mbi 54 miliardë rand dëme, ndërsa ndikimi i thatësirës në çmimet ushqimore rriti inflacionin me 3 pikë përqindje. “Rreziqet klimatike janë të shumëfishta dhe po vijnë nga të gjitha drejtimet”, theksoi Tshazibana.
54 miliardë rand (ZAR) janë afërsisht 3 miliardë dollarë amerikanë (USD).