Një tajfun i fuqishëm ka prekur jugun e Japonisë, duke detyruar evakuime të shumta dhe ndërprerje të energjisë elektrike në ishullin Okinawa.
Stuhia e emërtuar Khanun, që po lëviz ngadalë, është e treta që po godet Azinë Lindore në 3 javët e fundit. Paralajmërohet se tajfuni do të bëhet edhe më i ashpër duke sjellë shirat më të dendur në më shumë se një shekull.
Përmbytjet dhe stuhitë kanë vrarë të paktën 34 persona në Kinë, deri më tani. Ekspertët thonë se kushtet ekstreme të motit, si këto të fundit, do të bëhen më të shpeshta për shkak të ngrohjes globale.
Khanun vjen pas dy tajfunëve të kaluar, Talim dhe Doksuri, që përveç Kinës dhe Japonisë, kanë sjellë përmbytje dhe dëme të shumta edhe në Filipine dhe Tajvan.
Ekspertët paralajmërojnë se shpejtësia e erës në stuhinë e fundit mund të arrijë deri në 250 kilometra në orë. Në ishullin Okinawa të Japonisë janë evakuuar mbi 20 mijë persona dhe janë anuluar rreth 900 fluturime.