Ashpërsohen masat e Kodit Penal për personat që u ofrojnë apo tregtojnë produkte të duhanit, cigareve elektronike personave nën moshën 18 vjeç.
Në propozimet e ndryshimeve për ligjin për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit propozohet nga 100 mijë Lekë gjobë deri në 8 vite burg.
“Kur si pasojë e kryerjes së veprës penale për tregtimin, shitjen apo ofrimin të produkteve të duhanit personave nën 18 vjeç, ka ardhur dëmtimi i rëndë i shëndetit të të miturit, dënimi është nga 4 deri në 8 vjet burgim. Ndërsa në rastin kur është shkaktuar vdekja e të miturit, dënimi është nga 8 deri në 16 vjet burgim”.
Në raport citohet se prelevanca e duhanpirjes tek adoleshentët mbetet e lartë në vend dhe është e rëndësishme të reduktohet në mënyrë që të ulet numri personave me sëmundje kronike.
Në raportin e fundit të Organizitës Botërore të Shëndetësisë, duhanpirja në nivel global ka pësuar ulje tek grupmosha 13-15 vjeç, por e kundërta ndodh me vendin tonë.
Shqipëria qëndron në nivele të larta të duhanpirjes në këtë grupmoshë, duke arritur në 9.3%, nga 5.1% që është në nivel global.
Referuar raportit të fundit mbi konsumin e duhanit në nivel global, 1 në 5 të rritur është duhanpirës.
Duhanpirja është një nga faktorët kryesore të riskut për sëmundjet kronike të cilat janë shkaku kryesor i vdekjeve në Shqipëri.
LEXO EDHE: Parandalimi i sëmundjeve/ Si na shërben “CHECK UP-i sipas Protokollit Japonez”