Familjarët e viktimave në aksidente rrugore kanë të drejtë të plotë ligjore për dëmshpërblim dhe rasti i Maliqit është një kujtesë e fortë për të vepruar.
Aksidenti tragjik ku një 52-vjeçar humbi jetën pasi u përplas nga një mjet i Policisë ngre sërish pyetjen thelbësore: a marrin familjarët mbështetjen financiare që u takon me ligj?
Ligji shqiptar u njeh atyre të drejtën të kërkojnë dëmshpërblim nga siguracioni i mjetit që shkaktoi aksidentin, pavarësisht se procesi penal ndaj autorit të dyshuar është çështje më vete.
Hetimi përcakton fajin dhe rrethanat, por kjo nuk i pengon familjarët të ushtrojnë të drejtën civile për kompensim.
Dëmshpërblimi që mund të përfitojnë përfshin kompensimin pasuror për humbjen e të ardhurave që viktima do t’i sillte familjes deri në fund të jetës (sa më e re mosha dhe më të larta të ardhurat, aq më i lartë dëmshpërblimi pasuror).
Po ashtu përfshihen edhe shpenzimet e varrimit me një shumë të paracaktuar prej 300,000 lekësh, si dhe dëmshpërblimin moral dhe ekzistencial për dhimbjen dhe tronditjen që u shkaktohet të afërmve, i cili mund të arrijë deri në 220,000 lekë për secilin prind, fëmijë apo bashkëshort, dhe 1/2 e vlerës për vëllezër dhe motra.
Edhe në rastet kur mjeti që shkakton aksidentin është i pasiguruar ose i paidentifikuar, ligji sërish parashikon mbulim përmes Byrosë Shqiptare të Sigurimeve.
Për të përfituar këto të drejta, familjarët mund t’i drejtohen kompanisë së sigurimit të mjetit që shkaktoi aksidentin, ose Byrosë së Sigurimeve kur rasti e kërkon.
Në çaste të tilla të rënda, informimi dhe veprimi i shpejtë janë vendimtarë për të mos lënë pas dore një të drejtë themelore ligjore që u takon.




